Pronat, zyrë avokatie në Strasburg për të mbrojtur shtetin shqiptar
Eljona Ballhysa
Qeveria shqiptare ka propozuar në projektligjin për Avokatin e Shtetit që të ngrejë një strukturë në Strasburg, në formën e një zyre avokatie që do të mbrojë interesat e shtetit shqiptar. Ky propozim i Ministrisë së Drejtësisë është mbështetur gjatë debatit në parim për projektligjin në fjalë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve nga Avokati i Shtetit, Eduard Halimi. Ky propozim ka ardhur për shkak të kostos të madhe që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar shumica e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat janë vendime që shkojnë jo në favor të interesave të shtetit, por në favor të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë ngritur padi, kryesisht për çështje pronësie. Gjatë fjalës së mbajtur në komision, Halimi e ka cilësuar të drejtë këtë propozim të qeverisë, duke theksuar se në shumicën e rasteve shteti shqiptar nuk është mbrojtur, ose ka pasur mbrojtje të dobët, ndërkohë që qytetarët janë mbrojtur nga avokatët e tyre. Por ky propozim është parë me dyshim nga deputetët e opozitës, pasi sipas tyre ngritja e kësaj strukture shkon në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë.
Mbrojtja
Halimi bëri të ditur se projektligji parashikon që kjo zyrë avokatie që do të ngrihet në Strasburg të ketë status të përhershëm funksionimi. Por ai nuk dha detaje se sa do të jetë kostoja që do të paguajë shteti shqiptar për ta mbajtur këtë zyrë. “Do të ketë zyrë të përfaqësimit ligjor pranë Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut përsa u përket çështjeve që mbrohen në këtë gjykatë. Do të ketë një avokat shteti që do të jetë përmanent atje dhe do të përfaqësojë të gjitha kërkesat që vijnë nga shteti shqiptar. Avokati atje do të bashkëpunojë me një grup të ngritur pranë Avokaturës së Përgjithshme në Tiranë, për të siguruar mbrojtjen që do bëhet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, - është shprehur Halimi. I pyetur për numrin e gjyqeve që janë ngritur nga qytetarët shqiptarë në Gjykatën e Strasburgut, Halimi tha se nuk është një çështje që i takon Avokaturës së Shtetit dhe se nuk ka informacion përsa u përket çështjeve që janë çuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Por ai theksoi se shumica e gjyqeve të realizuara në këtë gjykatë me kërkesë të qytetarëve shqiptarë kanë rezultuar të humbura për shtetin shqiptar për shkak të mungesës së një mbrojtjeje të mirë. “Është bërë publike që ka disa vendime të kësaj gjykate, të cilat kanë dënuar shtetin shtetit shqiptar me shuma relativisht të larta dhe ne mendojmë se kjo ka ardhur edhe si pasojë e një mbrojtjeje jo të mirë që i është bërë nga përfaqësuesit tanë atje, prandaj kërkojmë që ta mbulojë Avokatura e Shtetit, e cila ka një nivel më të lartë profesionalizmi”,- ka theksuar Halimi.
Debati
Por, përveç diskutimit për ngritjen e strukturës së Avokaturës së Shtetit në Strasburg, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve është debatuar në tërësi për projektligjin, i cili në thelb parashikon që të gjitha aktet ligjore të qeverisë të hartohen me konsulencën e Avokatit të Shtetit, duke filluar që nga 1 janari i vitit 2009. “Me ligjin e ri, nga data 1 janar e më tej, Avokati i Shtetit do të marrë pjesë që në momentin që do të hartohet akti ligjor. Nuk do të ndodhë më që një akt i dalë nga administrata shtetërore të jetë në kundërshtim me qëndrimin e Avokatit të Shtetit”, - është shprehur Avokati i Shtetit, Eduard Halimi. Por, pikërisht ky përcaktim ka ngjallur edhe dyshime te deputetët e opozitës, sipas të cilëve mund të cenohet pavarësia e Avokatit të Shtetit në momentin që qeveria mund të nxjerrë vendime që janë politike dhe që bien ndesh me interesin e qytetarëve dhe të shtetit. “Nëse klienti nuk ju dëgjon dhe nuk e nënshkruan atë akt në formën dhe në përmbajtjen e caktuar që ju e këshilloni, deri ku shkon pavarësia dhe autonomia juaj për të mbrojtur dëmet pasurore që shkaktohen nga ky akt?” - është shprehur deputeti i PS-së, Besnik Dervishi. Ndërsa Avokati i Shtetit ka sqaruar se, në asnjë rast mendimi i Avokatit të Shtetit nuk do të jetë detyrues për klientin e vet.
Gjatë fjalës së mbajtur në komision, ndër të tjera Halimi tha se projektligji është hartuar në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës dhe synon një reformim tërësor të kësaj strukture, ku avokatët do të përqendrohen pranë ministrive dhe do të ndjekin çështjet përkatëse në rrethe, krejt ndryshe nga praktika e deritanishme, sipas së cilës, për çdo rreth të vendit kishte një numër të caktuar avokatësh. “Ligji i ri synon krijimin e një stafi profesional, një riorganizim tërësor i Avokaturës së Shtetit, jo si një institucion i centralizuar, ku Avokati i Përgjithshëm i Shtetit është në krye dhe të gjithë të tjerët janë poshtë në nivel piramidal, por në nivel kapilar, ku çdo ministri do të ketë një avokat shteti, i cili do ta konsultojë ministrinë që nga momenti i hartimit të aktit administrativ dhe deri në momentin që ai do përballet me një individ”,- ka bërë të ditur Halimi.
Disa nga dosjet e përfunduara në Strasburg
“Cufaj.CO”, kompani shqiptare që e paditi shtetin shqiptar për moskorrektësi në kontratë
Gjon Boçari (anëtarë të tjerë të familjes), e paditi shtetin shqiptar në Strasburg për pronat
Njazi Beshiri (anëtarë të tjerë të familjes), e paditi shtetin shqiptar në Strasburg për pronat
Taulant Balliu e paditi shtetin shqiptar për vendim penal të padrejtë
Agim Bajrami e paditi shtetin shqiptar për vendim civil të padrejtë
Jurgen Treska e paditi shtetin shqiptar për moskompensim të pronës
23 Tetor 2008