E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja tërhiqet nga varianti për publikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit



Partia Demokratike ka bërë dje një hap mbrapa për çështjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Relatori i Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve, Aldo Bumçi, ka bërë të ditur dje se PD-ja do të mbështesë të drejtën e çdo qytetari që të njihet me dosjen e tij, ndërkohë që ka theksuar se nuk do të lejohet që këto dosje të bëhen publike. Ky element i ri, sipas Bumçit, është futur pas konferencës së organizuar nga Ambasada Gjermane një ditë më parë, për eksperiencën e këtij shteti për hapjen e dosjeve gjatë regjimit nazist. “Duke vlerësuar eksperiencën gjermane në hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete si më të plotën në të gjithë Europën Lindore, mendojmë se është e nevojshme që në projektligj të përcaktohet e drejta e qytetarëve për t’u njohur me dosjen e tij. E drejta për t’u njohur me dosjen e Sigurimit i takon çdo qytetari, çdo të persekutuari në regjimin komunist”, - është shprehur Bumçi, i cili ka kërkuar nga PS-ja që të japë konsensusin për miratimin e këtij drafti të rëndësishëm. Megjithatë, një tjetër pikë që ndan qëndrimin e PD-së nga ai i PS-së është verifikimi i deputetëve që janë verifikuar nga komisioni parlamentar i vitit 1995. PS-ja kundërshton riverifikimin e deputetëve që janë verifikuar njëherë, ndërsa qëndrimi i PD-së është që të verifikohen të gjithë deputetët, pa përjashtime.

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›