E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama kërkon në Londër bashkëpunim për dosjen “Gërdeci”



Habjon Hasani

Tiranë - Vizita në Londër e kryeprokurores Ina Rama ka shënuar fillimin e bashkëpunimit me autoritetet angleze për disa elemente të rëndësishme të dosjes “Gërdeci”. Kryeprokurorja ka kërkuar ndihmën e këtyre autoriteteve përsa u takon “gjurmëve angleze” që janë konstatuar nga prokurorët shqiptarë në provat dhe dokumentet e sekuestruara pas shpërthimit të skandalit në Shqipëri. “Albania” ka mësuar se hetuesit anglezë kanë pranuar të bashkëpunojnë, ndërsa do të krijohen përkatësisht në Londër dhe Tiranë dy njësi, që do të shkëmbejnë informacion gjatë verifikimit të të dhënave. Më konkretisht, bëhet fjalë për faturat e dërgesave me armë që ka bërë Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet ndërmarrjes “MEICO”. Shqyrtimi i dokumentacionit ka treguar se ndërsa këto dërgesa eksportoheshin, përveç “MEICO”-s, dërguese kanë rezultuar dhe disa kompani me qendër në ishujt anglezë.
Firmat
Ndonëse janë të paktën shtatë firma të cilat janë konstatuar në dokumentacion, “Albania” ka mësuar emrin e njërës prej tyre. Rasti ka lidhje me 59 kontejnerët e tejmbushur me municion, për të shkuar në Armeni, të cilat u bllokuan nga autoritetet turke dhe u rikthyen në Shqipëri. Në këtë ngarkesë, përveç ndërmarrjes shtetërore “MEICO”, dërguese rezultonte dhe firma “Mosston Engineerings”, e cila është e stacionuar me selinë qendrore në ishujt Sejshell në Britaninë e Madhe. Nisur nga të dhënat dhe për të paktën gjashtë firma të tjera angleze të implikuara me tregtinë e armëve nga Shqipëria, Prokuroria e ka parë të udhës të verifikoj origjinën e këtyre firmave. Ky verifikim do të kryhet pasi këto ngarkesa kanë pasur dy dërgues dhe në të gjitha rastet dërguese ka qenë “MEICO” së bashku me një nga firmat me bazë në Angli. Por pasaktësitë dhe veprimet antiligjore të konstatuara nga prokurorët për këto ngarkesa kanë hedhur dyshime të forta se firmat angleze kanë mbajtur komision fitimi. Ngelet për t’u gjetur tashmë se kush fshihet pas këtyre firmave dhe me kë ka bashkëpunuar.
Armenia
Rasti i transportimit të armëve nga Shqipëria në Armeni krijoi një reagim të fuqishëm nga pala turke, e cila bëri dhe bllokimin e kësaj sasie. Turqia me Armeninë janë në konflikt të hapur për shkak të krizës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Anija në fjalë kishte udhëtuar nga Porti i Durrësit në drejtim të Portit të Stambollit, e ngarkuar me 59 kontejnerë të mbushur me armatim artilerie dhe me municionet përkatëse me synim transitimin e tyre në shtetin armen. Ditë më parë një përfaqësuesi ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes armene kishte kontaktuar me përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare dhe kishte bërë porosinë për blerjen e një sasie të konsiderueshme grykash zjarri të artilerisë tokësore dhe asaj kundërajrore të kalibrave të ndryshëm, duke filluar nga topat 75 mm e deri te topat obus me kalibër 122 mm, të shoqëruara me kompletet e tyre të municioneve. Për të realizuar shitjen e kësaj sasie armatimi Ministria jonë e Mbrojtjes caktoi firmën "MEICO", me eksperiencë në këtë sferë biznesi, pasi njihet për shitjen e armatimeve që në kohën kur dikasterin e Mbrojtjes e drejtonte Safet Zhulali.

Prokuroria, tri ditë analizë për hetimet e Gërdecit

Të gjithë prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, të angazhuar në hetimin e dosjes “Gërdeci”, kanë bërë gati raportet lidhur me rezultatet e tyre të hetimeve pas shtatë muajsh punë. Ka gjithsej tre grupe, të cilat janë ndarë në pistën e trafikimit të municioneve, abuzimit me pronën shtetërore dhe hetimin e aferës së fishekëve. Pas urdhrit të dy javëve më parë të prokurorit kryesues Zamir Shtylla, prokurorët dhe oficerët gjyqësorë kanë bërë gati relacionet përkatëse. “Albania” është interesuar pranë grupit të punës dhe ka mundur të informohet se prokurorët do të propozojnë këto tri ditë të analizës dhe komunikimin e akuzës për të paktën pesë zyrtarë të tjerë shtetërorë, që deri tani janë hetuar paraprakisht. Mes tyre do të jenë tre zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm, një punonjës i kompanisë shtetërore “MEICO” dhe një ish-zyrtar i nivelit të dytë në Ministrinë e Mbrojtjes. Te pestë personat janë cilësuar si të implikuar në historinë korruptive të Gërdecit, por vendimi final për kalimin ose jo të tyre në akuzë do të merret me anë të një aprovimi kolegjial të grupit të punës vetëm pasi të ketë përfunduar analiza dhe pasi të jenë dhënë direktivat për vazhdimin e hetimit.

Prokurorët: Vërtetuam lidhjen e Delijorgjit me Diverolin

I arrestuari Mihal Delijorgji rezulton i lidhur në mënyrë direkte me skandalin e fishekëve kinezë, që përfshiu Shtetet e Bashkuara dhe Tiranën zyrtare. Një tjetër fakt interesant lidhet dhe me ekonomisten e firmës së ndërtimit “Park Construction”, në pronësi të Mihal Delijorgjit. E njëjta ekonomiste rezultonte e punësuar part-time edhe në bazën e Rinasit, ku ripaketoheshin fishekët, por edhe në Gërdec. Ky fakt është trajtuar me kujdes nga prokurorët dhe ekonomistja në fjalë është marrë në pyetje. Mësohet se gjatë shpjegimeve të saj ka dhënë detaje me rëndësi. Të paktën ka qenë pikërisht kjo ekonomiste që ka detajuar dërgesat e parave nga Qiproja për në “MEICO” nga firma “Evdin lid”, por edhe disa detaje të tjera lidhur me borderotë e bazës së Rinasit dhe Fabrikës së Gërdecit. Por, përveç këtyre personazheve, nga grupi i prokurorëve janë siguruar dhe një numër prej mijëra fashikujsh me shkresa dhe udhëzime zyrtare, të cilat duket se në mënyrë të pakthyeshme do të shtojnë numrin e personave që do të ulen në bankën e të akuzuarve kur dosja të mbërrijë në gjykatë.

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›