E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takohet me ambasadorët e vendeve të BE-së dhe me ambasadorin Uidhers



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar në një darkë pune me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers. Takimi është zhvilluar me ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste dhe mësohet se tema kryesore e bisedimeve ka qenë rreth aktualitetit politik të krijuar në Shqipëri, pas tragjedisë së Gërdecit, skandalit të çështjes “Fazlliç” dhe sulmeve të qeverisë ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur për gazetën “Albania” se kreu i selisë rozë Edi Rama i ka informuar ambasadorët rreth qëndrimeve dhe aksioneve opozitare që do të ndërmerren nga Partia Socialiste. Nuk është hera e parë që kryetari i PS-së takohet me ambasadorët e vendeve Perëndimore, pas rëndimit të situatës politike në vend. Rama zhvilloi në datën 8 shtator një takim kokë më kokë me ambasadorin amerikan Xhon Uidhers në selinë e Partisë Socialiste. Takimi që u zhvilluar në prag të hapjes së sesionit të ri parlamentar ka pasur në vëmendje bisedat për reformën në Drejtësi, reformën zgjedhore dhe ligjin për pastërtinë e figurave. Burime nga selia rozë bënë të ditur se kryetari i Partisë Socialiste i ka bërë të qartë ambasadorit Uidhers se partia e tij në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk do të bëhet pjesë e reformave gjysmake, që dëmtojnë progresin e vendit dhe standardet demokratike, porse PS-ja është e vendosur të mbështesë dhe kontribuojë në reformat e mëdha që i duhen vendit. Biseda u përqendrua gjithashtu edhe te debati i çelur për ligjin e ri të Prokurorisë, ku Rama shprehu qëndrimin e Partisë Socialiste se nuk do të pranonte asnjë ligji që dëmtonte pavarësinë e Prokurorisë.

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›