Basha takon Birthler: “Hapja e dosjeve, proces i vështirë në Gjermani, por i domosdoshëm”
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me Marianne Birthler, e ngarkuara federale për dosjet e shërbimit të sigurisë së shtetit të ish-Republikës Demokratike Gjermane. Ministri Basha, duke e vlerësuar konferencën e organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert” mbi çështjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, vuri në dukje se ky është një dimension i ri në bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Në këtë drejtim, ministri Basha theksoi se eksperienca gjermane në lidhje me trajtimin e së kaluarës komuniste është shumë e vlefshme. Ministri Basha e informoi zonjën Birthler me ecurinë e deritanishme të procesit të trajtimit të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, diskutimet që po zhvillohen në Parlamentin shqiptar dhe ritheksoi vendosmërinë e qeverisë që ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me një konsensus sa më të gjerë politik. Birthler, nga ana e saj, vuri në dukje se trajtimi i së kaluarës komuniste edhe në Gjermani ka qenë një proces i vështirë, megjithatë ai ishte një proces i domosdoshëm për të ecur përpara. Pasi e vlerësoi si shumë interesante njohjen me eksperiencën shqiptare mbi këtë temë, ajo nënvizoi se pala gjermane do të ishte e gatshme të asistonte palën shqiptare në këtë drejtim.
23 Tetor 2008