Berisha kërkon luftë ndaj korrupsionit edhe në sektorin privat
Kryeministri Berisha ka kërkuar gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë hartimin e legjislacionit për dënimin e korrupsionit në sektorin privat. Berisha tha se përveç luftës kundër korrupsionit në sektorin publik, që është përparësi e qeverisë, duhet të bëhen përpjekje për ta luftuar atë edhe në spektrin privat, për të nxitur në këtë mënyrë konkurrencën. “Zotërinj ministra, objektivi numër një në luftën kundër korrupsionit duhet të nxirret nga praktikat më të mira të 20 vendeve më të mira. Duhet t’i instalojmë këto praktika, duhet t’i vëmë në jetë që të kenë rezultate. Sikundër paralelisht me të dhe gradualisht në përputhje me Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, duhet të plotësohet i gjithë kuadri ligjor për sektorin privat”, - është shprehur Berisha. Duke u ndalur te lejet e ndërtimit, kryeministri tha se do të ketë një afat, zgjatja e të cilit, për shkak të burokracisë, synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin. “Përsa u përket lejeve të ndërtimit, do të ketë një afat për miratimin e tyre. Zgjatjet e afatit janë procesi i vjeljes së gjobës. Prapa çdo zgjatjeje afati të burokracisë, të paktën në 90% të rasteve, qëndron ai proces që synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin. Heshtja konsiderohet miratim”, - është shprehur Berisha.
Duke e cilësuar të domosdoshme përqendrimin e qeverisë me të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, kryeministri u shpreh se nuk duhet që qeveria të injorojë korrupsionin në sektorin privat, i cili mund t’i dëmtojë rëndë konkurrencën e lirë dhe qytetarët. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave Berisha kërkoi që edhe kujdestareve të fëmijëve t’u paguhet sigurimi shoqëror. “Nuk ka formë më çnjerëzore se mbajtja e punëtorëve në të zezë. Është skllavëri. Zoti ministër i Financave, me shpejtësi duhet të bëhen ndryshimet ligjore, ku të përfshihet deklarimi i dadove dhe kujdestareve të fëmijëve. Ato duhet të jenë të regjistruara. Ai që mban një punonjës në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijën apo për shtëpinë, duhet të paguajë për të sigurimet shoqërore”, - është shprehur kreu i qeverisë.
23 Tetor 2008