Kryesia e PD-së miraton modalitetet për zgjedhjen e kryetarëve të degëve
Eljona Ballhysa
Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar gjatë mbledhjes së të martës në mbrëmje modalitetet për zgjedhjen e kryetarëve të degëve të PD-së. Po kështu, gjatë kësaj mbledhjeje janë përcaktuar grupet e punës që do të merren me fushatën në seksionet e partisë në të gjithë territorin e vendit. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka bërë të ditur për gazetën se gjatë mbledhjes së të martës, Kryesia ka vendosur që të fillojë menjëherë puna për zhvillimin e zgjedhjeve në seksione. Këto zgjedhje i paraprijnë dhe zgjedhjes së kryetarëve të degëve. Zgjedhjet për kryetarët e seksioneve do të realizohen në bazë të parimit “një anëtar, një votë”.
Degët
Kryesia e PD-së ka vendosur që kryetarët e degëve të zgjidhen nga delegatët në konventat e degëve të PD-së. Pra të gjitha seksionet që përbëjnë një degë do të zgjedhin delegatët në mesin e tyre. Duke u bazuar në statutin e PD-së, delegat mund të zgjidhet çdo individ që mban teserën e partisë dhe që ka paguar rregullisht kuotizacionet, pra ndihmën financiare për partinë. Pikërisht delegatët do të zgjidhen nga seksionet dhe do të zhvillohet konventë në çdo degë të PD-së. Në mbledhjen e Konventës do të zhvillohet një votim i fshehtë në të cilin do të marrin pjesë të gjithë delegatët. Pikërisht vota e tyre do të përcaktojë se cili do të jetë kryetari i degës së PD-së në të gjitha qytetet e vendit. Po kështu, Kryesia ka vendosur edhe kriteret që duhet të përmbushë një person që të jetë kandidat për kryetar dege. Kështu, ai duhet të jetë ligjërisht dhe faktikisht banor i degës përkatëse. Të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv. Të ketë përvojë politike si anëtar i PD-së, apo të shquhet si funksionar në administratë, të ketë aftësi drejtuese dhe eksperiencë në veprimtaritë e tjera profesionale jo politike. Të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së, si dhe të ketë pasur rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues dege.
Gara
I pyetur për mundësinë e një kandidimi të tij për postin e kryetarit të degës së PD-së së Tiranës, deputeti Bumçi u shpreh se është ende herët për të folur për këtë çështje. Sipas tij, PD-ja është në fazën e parë të zhvillimit të zgjedhjeve në parti dhe nuk është diskutuar ende rreth kandidatëve për kryetarë degësh. Prej disa kohësh është kristalizuar emri i kandidatit të parë. Ai është ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili e ka bërë tashmë publike ambicien e tij për këtë post. Madje Mustafaj është shprehur se është duke hartuar një platformë konkrete për t’u futur në zgjedhje për postin e kryetarit të degës së PD-së së Tiranës. Edhe Gjergj Bojaxhi nuk e ka mohuar mundësinë e kandidimit të tij për këtë post. Madje së fundi Bojaxhi ka nisur një “minifushatë”, pasi bien në sy deklaratat e tij në favor të mirëqenies së qytetarëve të Tiranës. Gjatë ditës së djeshme, Gjergj Bojaxhi, si anëtarë i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka dënuar mungesën e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, ndërsa ka dënuar politikat e ndjekura nga kryebashkiaku Rama për betonizimin e kryeqytetit. Duket se këto deklarata janë fillimi i një minifushate zgjedhore.
Mustafaj, i vetmi kandidat i vetëshpallur
Besnik Mustafaj është deri tani i vetmi kandidat për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Tiranë. Pak muaj më parë Mustafaj shpalli kandidaturën e tij për këtë post, duke shprehur besimin se do ta bëjë këtë degë funksionale. Por Mustafaj është shprehur se për të shpallur kandidaturën ai është konsultuar me statutin e PD-së dhe jo me kryetarin e kësaj partie. Deputetë të ndryshëm të PD-së bënë të ditur se ish-ministri i Jashtëm do ta ketë të vështirë të fitojë garën pa pasur mbështetjen e kryetarit të PD-së. Burime nga grupi i PD-së bënë të ditur se kryeministri Berisha është duke përgatitur kandidatë rivalë ndaj Mustafajt. Kështu, kanë qarkulluar emrat e Gjergj Bojaxhiut dhe Aldo Bumçit. Por deri tani nuk ka asgjë zyrtare. I vetmi kandidat për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës është ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj.
23 Tetor 2008