E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja shqiptare u zgjidh pas 100 vjetësh

Kryeministri Sali Berisha tha dje, se qëndresa 100-vjeçare e Kosovës është shembull i asaj që iu dol mbanë zgjidhjes së çështjes themelore të paqes e stabilitetit rajonal. Berisha i bëri komentet në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve që po mbahet në Tiranë, me 48 ambasadorë dhe kryetarë të misioneve diplomatike të Shqipërisë në botë. Ai kujtoi për të disatën herë, se viti 2008 është viti i shqiptarëve, duke iu referuar ftesës që mori Shqipëria për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës. Ai tha se pavarësia e Kosovës ka qenë kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Pavarësia e Kosovës shënon kalimin përfundimtar të shqiptarëve nga shtypja në liri. Kombi shqiptar kudo që jeton, është një komb i lirë. Rezistenca dhe qëndresa njëshekullore e qytetarëve të Kosovës është legjendë e qëndresës njerëzore për liri e dinjitet”, - tha Berisha, duke iu referuar shkëputjes nga Serbia të krahinës etnike të Shqipërisë, e cila iu dha fqinjëve në Konferencën e Londrës në vitin 1913, theksoi gjithashtu rolin e diplomacisë së Shqipërisë në mbështetje të Kosovës, kur tha se do të vazhdojë të mbetet në nivelet më të larta të mbështetjes së shtetit të ri, që në të vërtetë është shteti i dytë shqiptar në Ballkan. “Shqipëria dhe diplomacia shqiptare kanë qenë në krye të përpjekjeve për promovimin e kësaj çështjeje të drejtë. Diplomacia shqiptare ka mbrojtur dhe do të mbrojë, ka promovuar dhe do të promovojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës nuk kushtëzon qëndrimet e Shqipërisë në marrëdhëniet me vendet e tjera”, - tha Berisha. Kryeministri foli gjithashtu për procesin e njohjes së Kosovës nga 52 vende, duke vënë theksin tek angazhimi i Shqipërisë për marrëdhënie të ngushta me cilindo shtet, pavarësisht çështjes së Kosovës. “Dua t’ju siguroj, se asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka njohur Kosovën si një akt armiqësor ndaj kombit serb apo si një akt favori të veçantë ndaj shqiptarëve”, - tha kryeministri, për të shtuar shkurtimisht: “Jo”! Berisha tha gjithashtu, se të gjithë kombet e kanë njohur Kosovën, sepse janë të bindur se kjo është rruga më e sigurt për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Berisha vlerësoi shumë hapat e ndërmarrë nga fqinjët maqedonas dhe malazezë dhe së tepërmi nga arabët e Emirateve të Bashkuara për njohjen e shtetit të dytë shqiptar në botë. “Ne kemi mirëpritur njohjen e fundit nga Maqedonia, Mali i Zi, Portugalia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Mali i Zi dhe Maqedonia kanë kontribuar qartësisht në pavarësinë e Kosovës dhe ky kontribut përbën një trashëgimi të shkëlqyer për marrëdhëniet më miqësore në këtë rajon. Emiratet e Bashkuara u bënë vendi i parë arab që njohu pavarësinë e Kosovës dhe ne u jemi shumë mirënjohës. Shpresojmë që vende të tjera mike arabe në përputhje me vullnetin e tyre, do të duan të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe gradualisht do të marrin vendimet e duhura”, - vijoi Berisha. Por ai ishte po aq i qartë, kur kujtoi se pavarësimi i Kosovës u bë i mundur, sepse shqiptarët atje, “me qëndresën dhe me përpjekjet e bëra, ia dolën të pushtojnë mendjen dhe zemrat e udhëheqësve të kombeve të lira, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe shumë vendeve të tjera”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›