E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet punishtja e gëzofit, ishte e palicencuar



VLORË – Policia bllokon aktivitetin e një punishteje të përpunimit të lëkurave dhe prodhimit të gëzofëve në fshatin Peshkëpi, ndërkohë që penalizuan pronarin e saj. Sipas burimeve zyrtare, punishtja nuk ishte pajisur me licencën për ushtrimin e aktivitetit dhe pronari i saj, Sofo Qendraj, nuk kishte shlyer detyrimet tatimore. Pas verifikimit të dokumentacionit u vendos që punishtja të bllokohej dhe shtetasi Qendraj, të hetohej në gjendje të lirë.

Arrestohet 46-vjeçari, vodhi materialet e rrjetit ujitës

SARANDË – Një 46-vjeçar është arrestuar pasi kërkohej prej disa javësh për vjedhjen e materialeve të rrjetit ujitës në fshatin Nivicë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës, rreth orës 20.00, në Sarandë është ndaluar shtetasi Veli Nexhipi, lindur dhe banues në fshatin Gjashtë. Ndalimi u bë për arsye se Nexhipi dyshohet të jetë autor i vjedhjes, së kryer më 19 qershor në fshatin Nivicë të Sarandës, ku janë marrë disa tubo të rrjetit ujitës të fshatit.

Pranga 30-vjeçarit, tentoi të vrasë fqinjin për pronën

PEQIN – Një 30-vjeçar ka tentuar të vrasë fqinjin e tij pas një konflikti për çështje pronash, por është arrestuar pas denoncimit të personit të kërcënuar me armë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se nisi procedimi penal ndaj shtetasit Ervin Doci, banues në fshatin Copanë, komuna Përparim, në rrethin e Peqinit, pasi ndaj tij ishte bërë një kallëzim prej bashkëfshatarit të tij, shtetasi N.P.. Sipas tyre, N.P. është kanosur me armë zjarri nga 30 vjeçari për një konflikt për motive pronësie

Grabiten kompjuterët e shkollës, zhduken autorët

ELBASAN – Sërish një shkollë tjetër ka rënë preh e grabitjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se në orët e vona të së martës, persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë kryer në shkollën 9 –vjeçare në fshatin Shushicë të rrethit të Elbasanit. Sipas tyre, janë marrë tre kompjuterëve dhe të një skaneri. Nga ana e policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Pak javë më parë u bënë disa grabitje në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të rrethit të Durrësit.

Arrestohet, iu gjet “Zastava” brenda në makinë

DURRËS – Një 26-vjeçar ka përfunduar në pranga, pasi gjatë kontrollit në mjetin që drejtonte është gjetur një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit shprehen se dje u bë prangosja në flagrancë i shtetasit Saimir Repçe, lindur dhe banues në lagjen Nr. 6”. Sipas tyre, “arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Durrësit në mjetin që ai drejtonte, të tipit “Benz”, me targa VAD 39257, u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” së bashku me një krëhër me 9 fishekë të cilat ky shtetas i mbante pa leje”.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›