E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Buna” prangos kapot e fisit “Cafi”, akuzohen për disa krime në Shkodër



SHKODËR – Hapja e dosjeve të zeza në rrethin e Shkodrës ka sjellë arrestimin e disa prej anëtarëve të familjes Cafi, pasi akuzohen për një sërë krimesh. Strukturat e Policisë së Qarkut të Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë bënë dje në mesditë arrestimin e shtetasve Asllan Cafi, 67 vjeç, Gani Bokrina (Cafi) 67 vjeç, Arben Cafi, 35 vjeç dhe Arben Kazma, 26 vjeç, pasi akuzohen për një sërë veprash penale, të kryera pas vitit 1997. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se për të ekzekutuar urdhër-ndalime e prokurorisë, u organizua operacioni i koduar me emrin “Buna” ku morën pjesë edhe forcat speciale të RENEA-s. Pjesëtarët e familjes Cafi akuzohen për vrasjet e Shukri Mustafajt në korrik të vitit 2001 dhe në vitin 2002 ishte ndaluar bashkë me të birin, por nuk ishte faktuar akuza që rëndonte ndaj tij.
Arrestimi
Plot 7 vjet më pas është rihapur edhe një herë çështja e vrasjes së Shukri Mustafës, ku sërish janë vënë në shënjestër kryeplaku i familjes Cafi në qytetin verior dhe të afërmit e tij. Policia ka rivënë në pranga 67-vjeçarin Asllan Cafi, i cili ishte akuzuar edhe më parë për këtë vrasje. Strukturat speciale të policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë përpiluar me kujdes operacionin e koduar me emrin “Buna". Sipas burimeve zyrtare, hetimet kanë nisur që në vitin 2006, dhe vetëm dje u finalizuan me arrestimin e tre anëtarëve të familjes Cafi dhe një personi tjetër, të cilit iu gjetën në banesë armë që mbaheshin pa leje. Njoftimi për shtyp i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës bën të ditur se ditën e mërkurë u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të prokurorisë së rrethit për shtetasit Asllan Cafi, lindur dhe banues në Shkodër dhe Gani Bokrina (Cafi) lindur në fshatin Oblikë dhe banues në Shkodër. Operacioni “Buna” ka vijuar më pas me kontrolle, ku u sekuestruan 2 armë zjarri (pistoleta) model 54, një automatik tip “kallashnikov”si dhe një armë gjahu, të cilat mbaheshin pa leje. Sipas burimeve policore, “u arrestuan në flagrancë edhe shtetasit Arben Fejzi Cafi, lindur në vitin 1973 dhe Gazment Kazma, lindur në vitin 1982; që të dy me banim në qytetin e Shkodrës.
Hetimet
Ndalimi i dy të moshuarve 67-vjeçarë, Asllan dhe Gani Cafi, të njohur si kapot e fisit, u bë pasi të janë të dyshuar si autorë të vrasjes së shtetasit Shukri Mustafaj, ngjarje e ndodhur në lagjen “Liria” të qytetit të Shkodrës më datë 27.07.2001. Burimet policore bëjnë të ditur se për këtë vrasje, në vitin 2002 është dënuar edhe nje person tjeter. Për zbardhjen e kësaj ngjarje kanë nisur hetimet në vitin 2006 dhe vetëm dje është bërë e mundur që të rivihen përballë akuzës të dyshuarit kryesor të këtij krimi. “Për këta persona dhe lidhjet e tyre familjare, strukturat e hetimit të krimeve disponojnë informacione për përfshirjen e tyre edhe në vepra të tjera të rënda penale në qarkun e Shkodrës”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Shkodrës. Sipas tyre, “në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit të Shkodrës po hetohet intensivisht për dokumentimin e tyre ligjor dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve".
Kush janë Cafët
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se edhe në “vitet e mëparshme, pjesëtarët e familjes “Cafi” (grup kriminal) janë dënuar nga organet e drejtësisë për vepra të rënda penale. Konkretisht, shtetasi Gëzim Asllan Cafi është duke vuajtur dënimin me 17 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me armë, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit”. Po ashtu, edhe Çlirim Asllan Cafi (i vrarë), djali i të arrestuarit, i cili ka qenë i dënuar për veprën penale të “vrasjes” dhe të “rrëmbimit të personit”.
“Po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të personave të prangosur. Drejtuesit e Policisë së Qarkut kërkojnë bashkëpunimin e publikut dhe në mënyrë të veçantë të të dëmtuarve nga veprat penale prej tyre”, - përfundojnë njoftimi i policisë.

TË ARRESTUARIT

Asllan Cafi, 67 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër
Gani Bokrina (Cafi), 67 vjeç, lindur në Oblikë, banues në Shkodër
Arben Fejzi Cafi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër
Gazment Kazma, 26 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›