E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozimet e PD-së: Votim i hapur për dekretet dhe seanca të zgjeruara gjyqtarëve



Në draftin e paraqitur për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, deputetët e PD-së kanë sqaruar arsyet. Sipas tyre, amendamentet synojnë votimin e hapur për dekretet e Presidentit që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe rritjen e afatit që ka në dispozicion Kuvendi për shqyrtimin e këtyre kandidaturave. “Projektvendimi ka për synim paraqitjen e dy amendamenteve, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë e Kuvendit në një prej funksioneve më të rëndësishme të tij, atë të marrëdhënies së Kuvendit me dekretet e Presidentit të Republikës, ndërmjet të tjerave edhe me dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
Ndryshimi i parë parashikon që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur. Një votim të tillë parashikon në rastin e miratimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të ministrave që emërohen dhe shkarkohen pas këtij momenti dhe për projektligjin e buxhetit të shtetit. Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur gjithashtu sjell dhe një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe gjithashtu siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave ose për ministrat”, - shkruhet në relacionin që i bashkëlidhet projekt-propozimit të PD-së.
“Amendamenti i dytë ka si synim të reflektojë një mangësi praktike të evidentuar ku koha në dispozicion të Komisionit për Çështjet Ligjore të jetë më e gjerë për të mundësuar një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore. Është e kuptueshme që kandidatëve në këtë rast mund t’u jepet më tepër kohë për përgatitje në seancën që ata kanë me këtë komision, ashtu sikundër edhe Komisioni mund të komunikojë me organet përkatëse për të krijuar një bindje më të thellë për meritën e kandidaturave të përzgjedhura. Gjithashtu, një ndryshim i tillë harmonizon afatin kohor të shqyrtimit të dekretit përkatës me afatin e vendosur në nenin 86 të Rregullores, i cili gjithashtu ka të bëjë më shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës nga Kuvendi”, - sqarojnë deputetët e PD-së.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›