Propozimi, gjurmë të re për Unazën e Madhe të Tiranës
Në kulmin e debatit për ndërtimin e Unazës së Madhe në kryeqytet, Ministria e Punëve Publike ka propozuar një projekt tjetër për këtë aks të rëndësishëm. Burime pranë ministrisë konfirmojnë se ministri Olldashi u ka kërkuar ekspertëve dhe projektuesve të Bashkisë së Tiranës të shqyrtojnë një gjurmë të re të kësaj rruge. Ministria ka kërkuar që rruga të kalojë pas Liqenit Artificial, duke vazhduar në Saukun e Vjetër dhe dalja e saj të jetë tek Kartodromi afër hotelit “Eklips” në “Rrugën e Elbasanit”. Aktualisht, projekti parashikon që kjo rrugë të ketë dalje tek Akademia e Policisë “Arben Zylyftari” në Sauk. Propozimi i ministrisë po shqyrtohet nga ekspertët e bashkisë. Ministria mendon se ky projekt do të jetë më efikas për shkak se do të ketë më pak shpronësime, do të preken më pak ndërtime, si dhe do t’i japë një zhvillim më të madh zonës së periferisë së Saukut të Vjetër i cili nuk ka asnjë rrugë direkte që e lidh me kryeqytetin, ndonëse atje jetojnë dhjetëra mijëra banorë. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nga ana e Bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë ide. Bashkia është i vetmi institucion që miraton projektin. Ndërkohë, qeveria i ka bërë thirrje bashkisë që të dorëzojë sa më shpejt projektin në mënyrë që puna të nisë në këtë rrugë jetike për zhvillimin e kryeqytetit. Në një letër drejtuar kryetarit Edi Rama, ministri Olldashi shprehej se qeveria ka gati fondet për shpronësimet. Olldashi ka propozuar që edhe ndërtimi të bëhet nga qeveria për të shmangur vonesën. "Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për kryeqytetin ndërtimi i këtij aksi, duke vlerësuar edhe se pamundësia juaj për të realizuar këtë projekt nuk është arsye e mjaftueshme për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës, ju kërkojmë të na vini në dispozicion projektin e Unazës së Madhe në mënyrë që MPPTT-ja, me fonde të buxhetit të shtetit, të fillojë menjëherë ndërtimin e saj”, - i ka shkruar Olldashi Ramës.
Projekti aktual
Projekti aktual që ka bashkia për Unazën e Madhe mund të kushtojë rreth 300 milionë euro. Ndërtimi i Unazës së Madhe do të shpronësojë 180 banesa private plotësisht ose pjesërisht. Ndërkohë që sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet prej saj është rreth 35 hektarë, përfshirë këtu edhe tokë bujqësore. Ky është parashikimi i bërë nga ekspertët e Bashkisë së Tiranës pas hartimit të projektit për segmentin jugor të kësaj rruge. Projekti i segmentit jugor të saj vazhdon të shtrihet nga kryqëzimi me “Rrugën e Kavajës” deri në atë me “Rrugën e Elbasanit”. Kjo pjesë e Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.5 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat prapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut për t‘u lidhur me “Rrugën e Elbasanit” pranë Akademisë së Rendit Publik. Projekti i ndërtimit të një Unaze të Madhe për Tiranën është ideuar që me planin rregullues të 1989-ës. Në vitin 1999 është përfunduar ndërtimi i një pjese të saj, segmenti prej 2.2 km që lidh “Rrugën e Durrësit” me atë të Kavajës. Por në këtë investim u la pa përfunduar sistemi i kullimit të ujërave, trotuaret, ndriçimi dhe gjelbërimi rrugor. Krahas me çështjen mjaft delikate të ndërtimeve që pengojnë projektin e Unazës së Madhe, ekspertët po merren edhe me përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë studimin e fizibilitetit. Ai ka të bëjë me vlerësimin teknik, ekonomik, koston e përafërt të zbatimit të projektit si dhe me vlerësimin mjedisor.