Qeveria miraton marrëveshjen me Greqinë për varret greke
Qeveria miratoi dje në mbledhjen e radhës marrëveshjen mes vendit tonë dhe atij grek për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të vitit 1940-1941. Marrëveshja ka parashikuar edhe vende të veçanta ku pritet në ngrihen memorialë dhe obeliskë për nder të ushtarëve të rënë grekë. Këta memorialë priten të ndërtohen në vendprehjet e ushtarëve të rënë në Republikën e Shqipërisë. Me këtë marrëveshje, qeveria shqiptare duket se ka dhënë një mesazh të qartë bashkëpunimi në një moment kur Parlamenti grek diskutonte MSA-në me Shqipërinë. Kjo marrëveshje ka qenë tepër e kërkuar nga shteti helen dhe finalizimi i saj duket se i ka hapur rrugën një marrëdhënieje të re mes dy vendeve. Marrëveshja pritet që të mbyllë një problem të vjetër dhe shumë delikat i cili u shfaq kur në fshatin Kosinë. Banorët akuzuan priftin e fshatit se po përvetësonte eshtrat e të afërmve të tyre si eshtrat e ushtarëve grekë. Kjo marrëveshje mori formë para pak kohësh mes dy ministrive të Jashtme, ndërkohë që qeveria i dha dje formë ligjore.
Islam Lauka merr “bekimin” e Kuvendit
Islam Lauka do të jetë ambasadori i ri shqiptar në Prishtinë. Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme miratoi dje kandidaturën e diplomatit Lauka për postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikës e Kosovës. Ai tashmë pret vetëm firmën e Presidentit Topi, firmë që pritet të mos jetë negative. Komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me diplomatin Lauka i cili mori vlerësimet e të gjitha palëve. Deputetë të mazhorancës dhe opozitës vlerësuan kandidaturën e tij, duke dhënë konsensusin për detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. Islam Lauka pritet të nisë detyrën si ambasadori i parë shqiptar në shtetin e ri të Kovovës, pas shpalljes së pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008. Lauka është një nga diplomatët më me përvojë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ka lindur në Tropojë, në vitin 1954. Ai është diplomuar për gjuhë ruse në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe mban titullin “Doktor i shkencave politike”. Deri para emërimit në detyrën e ambasadorit në Prishtinë, Islam Lauka ka qenë në postin e drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitet 1991-1995 ka qenë i ngarkuar me punë në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë. Diplomati Lauka njihet si një njohës i mirë i çështjes kosovare dhe ka shkruar edhe dy libra studimorë për Kosovën.