E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, kush përfiton nga kompensimi i çmimit



Qeveria merr përsipër kompensimin e vlerës së letërnjoftimeve të reja përmes një fondi prej 500 milionë lekësh kundrejt katër kategorive sociale: administratës, studentëve, pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Kryeministri Sali Berisha njoftoi në mbledhjen e djeshme të qeverisë kategoritë përfituese dhe vlerën përkatëse për secilën prej tyre. Për pensionistët, të cilët marrin pension 8 mijë lekë, për studentët dhe shtresat në nevojë, vlera e kartave do të jetë 500 lekë. Edhe punonjësit e administratës do ta marrin kartën e identitetit me vlerën 1 mijë lekë, ndërsa pjesa tjetër do të paguajë 1200 lekë për t'u pajisur me dokumentin e ri, shpërndarja e të cilit duhet të përfundojë brenda datës 15 shkurt. Pagesa e kompensimit është rimbursim i pagesës së bërë dhe të dokumentuar për marrjen e letërnjoftimit dhe kryhet për aplikimet e bëra deri në 30 maj 2009. Pas kësaj date, nuk kompensohet asnjë pagesë. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë, të përballohen nga fondi rezervë i vitit 2009. Pikërisht në kuadër të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për diferencim tarifash për shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare. Sipas këtij vendimi, do të ketë kompensim në pagesën për kartat e identitetit për punonjësit e administratës, pensionistët, studentët dhe familjet me asistencë. Kryeministri Sali Berisha sqaroi në mbledhjen e qeverisë se në zyrat postare këto kategori sociale do të paguajnë vlerën 1200 lekë, por pas miratimit të fondit që do vërë në dispozicion qeveria, do të bëhet dhe kompensimi i tyre. Procesi i aplikimit dhe më pas pajisja e qytetarëve në Tiranë me kartat e identitetit, i cili nisi të hënën, ka ngecur për shkak të mungesës së kuponëve. Zyrat postare shpërndanë sasinë prej 4000 mijë kuponësh që në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërsa është njoftuar se kontigjenti tjetër i kuponëve do të jetë gati nesër (ditën e enjte). Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha pranoi problemin, por shtoi për t’u sqaruar se “sasia e parë ishte provë dhe kjo konfirmoi vullnetin e madh të qytetarëve për t’u pajisur me kartat e identitetit” . Kryeministri tha: “Pas të premtes, nuk do të ketë më probleme me kuponët, pasi kompania garanton se do të sjellë sasinë totale të kuponëve për kartat e identitetit".

Berisha replikon me Nishanin

Kryeministri Berisha shkëmbeu dje replika me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, për sa i përket orarit që punonjësit e administratës pranë zyrave të aplikimit për kartat e identitetit kanë punuar. Kryeministri kërkoi që në zyrat e aplikimit pranë 11 njësive bashkiake në Tiranë të punohet me orar të zgjatur. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha: “Në këto zyra, që ditën e hënë është punuar me 12 orë”. Përgjigja e tij nuk është pranuar nga Kryeministri Berisha, i cili tha: “Kjo nuk ishte e vërtetë, pasi dje qytetarët kishin gjetur zyrat e mbyllura pas orarit zyrtar.” Por Berisha ndërhyri sërish duke i kërkuar ministrit të Brendshëm që të ngrejë një Task-Forcë për mbikëqyrjen, pasi ankesat në adresë të administratës kanë qenë të shumta.

Berisha, vërejtje Ramës për detyrimet ndaj studentëve

Kryeministri Berisha u bëri dje thirrje bashkive të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga karta e studentit në shërbimin e transportit. Duke vërejtur se karta e studentit nuk respektohet, Kryeministri Berisha theksoi se kjo është atribut i bashkive, por në rast se ato nuk e respektojnë këtë detyrim, qeveria do të mbajë qëndrim. “Dua të tërheq vëmendjen se studentëve nuk u respektohen detyrimet që rrjedhin nga karta e studentit. Respektimi i kartës së studentit është një rregull botëror. Linjat e qarkullimit duhet të respektojnë kartën e studentit. Bashkitë që shpërndajnë biletat, nuk mund ta thyejnë këtë rregull. Duhet të përcaktohen penalitete të qarta. Kam ankesa nga studentët se atyre nuk u respektohet karta e studentit, me justifikimin se nuk ka më bileta për ta. Kjo çështje duhet të zgjidhet, pasi ajo që u takon me kartë, duhet të respektohet. Këto janë atribute të bashkisë, por në rast se bashkia nuk respekton rregullin, atëherë qeveria do të mbajë qëndrim”.

Vendimi i qeverisë

1. Shtresave në nevojë t’u kompensohet pagesa për pajisjen me letërnjoftim në shumat, si më poshtë vijon:

a) Në masën 700 (shtatëqind) lekë:

I. Çdo anëtari të familjes që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç, si dhe të atyre që e mbushin këtë moshë para datës 30 qershor 2009;

II. Personave me aftësi të kufizuar, të lindur a të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, që janë mbi 18 vjeç, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar;

III. Personave, që përfitojnë pagesë papunësie;

IV. Studentëve.

b) Në masën 400 (katërqind) lekë:

I. Të gjithë personave që përfitojnë pension pleqërie, në fshat apo qytet, të plotë ose të pjesshëm, si dhe pension invaliditeti;

II. Personave në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura.

c) Në masën 200 (dyqind) lekë punonjësve të institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, si dhe personave në ngarkim të

d) tyre, pa të ardhura.

2. Pagesa e kompensimit është rimbursim i pagesës së bërë dhe të dokumentuar për marrjen e letërnjoftimit dhe kryhet për aplikimet e bëra deri në 30 maj 2009. Pas kësaj date nuk kompensohet asnjë pagesë.

3. Kompensimet jepen, përkatësisht, nga zyrat ku bëhen pagesat për pagat, ndihmën ekonomike, papunësinë dhe pensionet. Për studentët pagesa bëhet nga universitetet, ku ata studiojnë. Pagesa e kompensimit e përfituesit bëhet menjëherë me fondet buxhetore, të miratuara në buxhetet e institucioneve përkatëse dhe këto të fundit kërkojnë rimbursimin për pagesat e kryera, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.

4. Pagesa e kompensimit bëhet në mënyrë të menjëhershme, pasi personi përfitues paraqet, në zyrat e përmendura në pikën 3 të këtij vendimi, fotokopje të dokumentit, të dhënë nga zyra e gjendjes civile, pas aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, të shoqëruar me mandatin e pagesës së bërë nga përfituesi.

5. Në fund të muajit, çdo institucion buxhetor dhe njësi e qeverisjes vendore raporton, përkatësisht, në ministritë/institucionin qendror, nga i cili varet dhe në Ministrinë e Brendshme listë-pagesën e përfituesve të kompensimit të paguar për muajin, së bashku me fotokopjet e mandateve të përfituesve. Ministritë dhe institucionet qendrore, bazuar në këto raporte, bëjnë një kërkesë përmbledhëse për rimbursimin e fondeve të shpenzuara në Ministrinë e Financave, e cila bën çeljen e menjëhershme të fondeve për ministritë dhe institucionet qendrore. Këto të fundit bëjnë më tej rimbursimin për institucionet vartëse dhe njësitë e qeverisjes vendore.

6. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë, të përballohen nga fondi rezervë i vitit 2009.

7. Rregullat e hollësishme dhe mënyrat e pagesës së kompensimit të përcaktohen në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›