E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet kriza mazhoranca rrezon draftin per hetimin e zgjedhjeve

Mbledhja Deputetët e PD-së kundërshtojnë shumicën e PS-së në komisionin hetimor dhe objektin e hetimit

Mazhoranca hodhi poshtë dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tre nga shtatë propozimet e bëra nga opozita për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndërsa opozita ka braktisur mbledhjen, duke protestuar për shkeljen e premtimit nga mazhoranca për lejimin e hetimit, duke i dhënë PS-së shumicën në komision. Mes pikave të rrëzuara nga mazhoranca është edhe ajo në të cilën socialistët kërkojnë kryesimin e komisionit, sipas një premtimi të bërë nga Kryeministri Berisha. Relatori i këtij drafti, Viktor Gumi, theksoi dje në mënyrë të qartë se “pikat II, III dhe IV të projektvendimit duhet të riformulohen në mënyrë të pranueshme nga këndvështrimi kushtetues, cilësi që ato nuk e kanë në formulimin aktual të paraqitur”. Sipas Gumit, këto pika duhet të shndërrohen nga përmbajtja aktuale antikushtetuese që posedojnë në formulime me përmbajtje kushtetuese duke njohur, duke respektuar dhe duke mishëruar në tekstin e tyre respektimin e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera. “Vlerësoj se projektvendimi ka defekte të rënda në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, përcaktimit kushtetues të zbatimit të ligjit të posaçëm për përbërjen e tij; përcaktimit kushtetues të respektimit dhe moscenimit të veprimtarisë së tij me veprimtarinë e organet e tjera, si dhe përcaktimit kushtetues të efektivitetit dhe racionalitetit të veprimtarisë së Kuvendit”, ishte qëndrimi përfundimtar i shprehur nga Gumi në emër të PD-së. Por në sallën e Komisionit të Ligjeve ishte deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili kontestoi këtë qëndrim, kryesisht refuzimin që demokratët i bënë pikës tre të draftit, aty ku kërkohej që shumica e komisionit t’i përkiste PS-së. “Kryeministri ka theksuar se ne mund të kemi shumicën në komisionin hetimor, na i ka premtuar, kështu që ju lutem shpjegoheni edhe një herë për të qartësuar opinionin publik pse ju nuk e pranoni këtë pikë të draftit tonë”, iu drejtua deputeti i PS-së, Majko, relatorit të draftit, Viktor Gumi. Në përgjigje të pyetjes, Gumi theksoi se ndryshe ishte një vendim politik dhe ndryshe ishte formulimi juridik i një drafti, duke lënë të kuptohej se PD nuk mund ta pranonte këtë pikë. Por më i ashpër në fjalën e tij për refuzimin që PD i bëri pikave më të rëndësishme të draftit të PS-së, u shfaq deputeti socialist, Fatmir Xhafaj. Madje Xhafaj theksoi se mosmiratimi i këtij drafti do të sillte pasoja edhe për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme lokale që pritet të mbahen në fillim të muajit maj. “Projektvendimi ynë është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ky projektvendim është në bazë të qëndrimit tonë politik. Nëse nuk miratohet dështon transparenca e zgjedhjeve dhe rrezikon manipulimi i zgjedhjeve të ardhshme”, ishte qëndrimi që mbajti dje përfaqësuesi i Partisë Socialiste. Por përsëritja e argumentit nga ana e mazhorancës se drafti i paraqitur nuk është në përputhje me ligjet e vendit, solli edhe rebelimin e socialistëve dhe më tej daljen e tyre nga salla e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. “Pas refuzimit që ju i bëtë kërkesave tona, dalim në konkluzionin se nuk ka më asnjë arsye për të qëndruar këtu dhe të diskutojmë me ju”, theksoi deputeti Xhafaj, në momentin që socialistët lanë në shenjë proteste mbledhjen e komisionit. Por pas largimit të tyre përfaqësuesit e mazhorancës deklaruan se socialistët mund të bënin korrigjimin e pikave të kontestuara dhe drafti mund të merrte atëherë miratimin e plotë të tyre. Por duket se tashmë palët janë më larg seç kanë qenë një vit e gjysmë më parë dhe mospranimi i kërkesave të PS-së për hetimin e zgjedhjeve të shkuara do të sjellë pasoja për reformën zgjedhore, që është konsideruar si e nevojshme të kryhet përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›