E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostituoi me dhunë të fejuarën, e sjellin nga Spanja me pranga

Ekstradohet Ilia Kotiu, i dënuar me 9 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese

Ishte dënuar, por vetëm dje ka ardhur me pranga të shtrënguara në duar. Policia njofton zyrtarisht se ka ekstraduar dje nga Spanja një 39-vjeçar me emrin Ilia Aleko Kotiu, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata e kishte dënuar me 9 vjet burg për veprën penale të trafikimit të femrave me qëllim ushtrimin e prostitucionit. 39-vjeçarin nga Skrapari nuk ka mundur ta shpëtojë as identiteti i rremë, me të cilin ai ishte paraqitur në vende të ndryshme të Europës, si Itali, Spanjë e Francë. Agjentët e Interpolit e kanë arrestuar të riun rreth tetë muaj më parë, duke mos u gënjyer nga identiteti i tij fals në pasaportë, që e fshihte atë nën emrin Artan Dautaj. Drejtësia shqiptare kishte shpallur kërkimin për Kotiun, duke dhënë të gjitha karakteristikat e tij dhe njoftuar edhe për mundësinë e përdorimit nga ai të ndonjë identiteti tjetër. Kështu, bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit ka sjellë edhe arrestimin më 15 dhjetor të vitit 2009 të Ilia Kotiut, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Sipas dokumentacionit policor, Kotiu u shpall në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit të Beratit më 26 shkurt të vitit 2009 kishte marrë vendimin e dënimit me 9 vite burg, pasi i dënuari kishte shfrytëzuar vajza për prostitucion, në rrethana rënduese për jetën e tyre. Në vendimin e gjykatës thuhet se 39-vjeçari, më datë 24 korrik të vitit 2001, ka marrë me vete shtetasen T.B., me të cilën ishte fejuar disa muaj më parë dhe ishte nisur me skaf nga Vlora drejt Italisë. Po sipas vendimit të gjykatës, më pas i riu kishte shkuar në Spanjë e Francë dhe atje ka detyruar nën dhunë psikologjike dhe fizike shtetasen T.B., të ushtronte prostitucion, nga muaji korrik i vitit 2001 e në vazhdim. Kotiu e ka vazhduar aktivitetin kriminal deri në momentin kur policia spanjolle e ka identifikuar dhe më pas kur ka krahasuar gjurmët e tij e ka arrestuar. Pas përgatitjes dhe paraqitjes së dokumentacionit nga pala shqiptare, Gjykata e Madridit i ka hapur rrugë ekstradimit të 39-vjeçarit drejt të Shqipërisë. Oficerët e Interpolit e kanë zbritur Kotiun në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dhe menjëherë ia kanë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›