E Diel, 1 Nëntor 2026

Prostitutat, si shndërroheshin nga tutorët në skllave të nënshtruara seksi

prostituta—-Nga Arisa Liço—-

Tiranë- Një 44-vjeçar ka shfrytëzuar për prostitucion për një vit rrjesht nën presionin dhe kërcënimin psikologjik, shtetasen me iniciale L.D në Itali dhe në qytetin e Tiranës, pasi e kishte mashtruar duke i premtuar martesë. Historia e saj është historia e një prej mijëra femrave të mashtruara, të dhunuara e të transformuara në skllave të bindura e të varura plotësisht prej tutorëve. Sipas asaj që vetë gruaja ka deklaruar në gjykatë, me shtetasin B.V nga Puka është njohur në vitin 2000 kur edhe i është propozuar për martesë, të cilin ajo e ka pranuar. 

Bashkë kemi shkuar në qytetin e Shkodrës, ku kemi ndenjur për pak kohë tek të afërmit e të pandehurit dhe atje une jam  prezantuar si  nusja e tij. Qëndrimi tek të afërmit e të pandehurit nuk ka zgjatur shumë, sepse prej tij ishte planifikuar që së bashku të shkonin në Itali. Ky plan është vënë menjëherë në zbatim dhe brënda pak ditësh ne kemi shkuar në qytetin e Vlorës, nga ku me një mjet lundrues kemi udhëtuar gjatë natës për në brigjet italiane në mënyre ilegale. Kemi zbarkuar në brigjet e qytetit të Barit ku jemi pritur nga njëri prej vëllezërve të pandehurit. Që në momentet e para të këtij takimi, nga një bisedë e zhvilluar mes vëllezërve, une kam marrë vesh se do të punoja në rrugë si prostitutë,- ka deklaruar gruaja në gjykatë.

Teksa janë sistemuar për të jetuar në banesën e vëllait të të pandehurit, ditën e tretë të mbërritjes gruaja thekson se i është kërkuar që të prostituojë në rrugët e qytetit karshi shpërblimeve të klientëve që do i ofroheshin.

Fillimisht kam refuzuar, por jam vënë përpara alternativës së mungesës së ushqimit. Përfundimisht gjatë netëve në vazhdim kam dalë në rrugët e qytetit të Gjenovës, ku kam filluar të ushtrojë profesionin e prostitutës. Për disa muaj kam siguruar të ardhura të majme, të cilat shkonin në xhepat e të pandehurit. E kam ndërprerë aktivitetin përkohësisht për shkak se jam kapur nga policía italiane dhe jam dërguar në një kolegj për trajtimin e minorenëve, ku kam ndenjur për një periudhë 5 mujore. Pas kësaj periudhe une jam arratisur nga kolegji dhe kam shkuar në qytetin e Romës, ku kam siguruar përsëri lidhjet me të,- tregon ajo.

Sipas asaj që thuhet në vendimin e gjykatës, gruaja e kërcënuar dhe e detyruar dhunshëm ka vazhduar normalisht aktivitetin e saj në qytetin e Romës, teksa në një rast ajo është trajtuar mizorisht nga një klient italian sepse është goditur disa herë me thikë pjesë të ndryshme të trupit. Pas trajtimit spitalor i është kthyer përsëri punës si prostitutë deri në datën 30.06.2001 që është kapur nga policía italiane e është riatdhesuar në Shqipëri. Pas disa ditësh është kthyer në Shqipëri edhe shtetasi B.V dhe janë rilidhur sëbashku duke shkuar për të jetuar në shtëpinë e tij në qytetin e Durrësit. Në këtë kohë, ai i ka kërkuar sërish shtetases në fjalë që të vazhdonte aktivitetin e saj nëpër hotelet e Tiranës dhe sërish ajo ka parnuar tashmë, e shndërruar në një robinjë e tutorit. Shoqërimin e saj nëpër hotele e bënte ai, i cili siguronte edhe të ardhura të konsiderueshme.

Aktiviteti i saj është ndërprerë vetëm në datën 12.11.2001 kur ajo është kapur në flagrancë nga forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Shijak, në shoqërinë e një vajze moldave në autoveturën e cila ishte në pronësi të shtetasit B.V.

Shtetasja moldave ka deklaruar se ishte blerë nga një tjetër burrë, me iniciale A.K, i cili ka qenë edhe tutori i saj,  me qëllim që të shfrytëzohej si prostitutë. Shtetasi me inicialet B.V, pas disa procesesh gjyqësore është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg nga gjykata e Tiranës, ndërsa ka kalar një kalvar procesesh gjyqësore. Në vitin 2002, Gjykata e ka dënuar atë në mungesë me 13 vjet burg, ndërsa edhe Apeli në vitin 2003 e la në fuqi këtë vendim.

Në vitin 2011 Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tirane e ka arrestuar atë dhe ka filluar te kryej denimin ne IEVP Mine Peza Tirane. Teksa pas dy muajsh, gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurit për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimi të Apelit në 2003. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimeve të gjykatave në 2002 dhe 2003, e kthimin për gjykim në shkallën e parë, nga ku u dënua me 4 vite e 8 muaj burg.

Edhe pse në dy raste vazja i është vetëdorëzuar tutorëve të saj, psikologët thonë se kjo ndodh si pasojë e shkatërrimit të personalitetit të tyre nga dhuna dhe mbyllja e cdo lloj perspektive për të ndërtuar jetën të pavarura, duke krijuar një varësi totale nga shfrytëzuesit e tyre. Ato shndërrohen më pak fjalë në shkllave të bindura dhe të depersonalizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›