E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia Politika kujton e ndarë rrëzimin e bustit të Hoxhës

Autori i Lajmit: Redaksia
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës është kujtuar dje nga mazhoranca dhe opozita. Edhe pse të ndarë, secila palë ka dënuar të kaluarën komuniste. Bashkia e Tiranës zgjodhi sheshin qendror të Kombinatit, i konsideruar në të kaluarën edhe si një pikë referimi e së shkuarës dhe e regjimit komunist, për të përkujtuar 19-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. I pranishëm në këtë aktivitet, kryebashkiaku Edi Rama lançoi njëkohësisht edhe idenë e organizimit të një konkursi ndërkombëtar për sheshin e Kombinatit, konkurs që sipas tij do të na mundësojë ta vlerësojmë këtë hapësirë këtu në Kombinat, si një hapësirë ku mund të bashkëjetojnë në të njëjtin vend edhe e shkuara si formë e kujtesës, edhe e ardhmja si pjesëmarrje e gjallë e të gjithë fëmijëve dhe të rinjve e të rejave të Kombinatit. Ndërsa Partia Demokratike, 19 vite pas rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, deklaron se respektimi i lirive dhe demokracisë në vend mbetet një prej objektivave të përhershëm të saj.
PS
Më shumë se ceremonia, për Partinë Socialiste merr një rëndësi të veçantë gjesti simbolik i organizuar nga lidershipi i PS-së. Në hapjen e fushatës elektorale të vitit të kaluar, kreu i PS-së prezantoi para votuesve të majtë një histori të re të PS-së, ku pjesë e saj ishte dhe rrëzimi i bustit të Hoxhës. Sot PS-ja zyrtarisht, për herë të parë bashkohet me shoqatat e ish-të përndjekurve dhe antikomunistëve për të përkujtuar rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Sot jetojmë në një shoqëri, e cila është pluraliste ku shumëkush thotë atë që mendon, por ka probleme të mëdha me dëgjimin, sepse shumëkush mund të flasë, por nuk dëgjohet. Sot është e domosdoshme të vazhdojnë një betejë për emancipimin e shoqërisë sonë në të dyja nivelet nga niveli familjar dhe shoqëror", - tha Rama gjatë një ceremonie të zhvilluar në lagjen "Kombinat" në Tiranë. Më tej Rama apeloi se "kumtesa e së shkuarës nuk na vlen si një arsye për të vazhduar të jemi të ndarë e të përçarë, për të vazhduar të kërkojmë argumentet e kundërvënies për njëri-tjetri, por na shërben për të ecur përpara jashtë mllefit që regjimi komunist gatoi për gjysmë shekulli ndër shqiptarë.
PD
“Sot pas 19 vitesh, Partia Demokratike në pushtet dhe koalicioni i saj qeveritar, dalin përpara shqiptarëve me zotimin solemn se garantimi i lirive dhe i të drejtave të tyre, zgjerimi i tyre i vazhdueshëm, mbeten objektivat e përhershëm dhe më madhorë të programit të saj”,- u shpreh Meçani në një konferencë për shtyp. Ajo thekson se rinia demokratike e 19 viteve më parë arriti të mposhtë një prej diktaturave më të egra në Evropë. “Më 20 shkurt diktatura hoxhiste, e plagosur për vdekje, do të bënte të gjitha përpjekjet që me zjarr e hekur, të rivendoste forcën e saj, do të ndërmerrte ekzekutimin e të rinjve në rrugët e Tiranës, me falangat e saj të drejtuara nga Ramiz Alia dhe Gramoz Ruçi, do të akuzonte Partinë Demokratike për terrorizëm dhe do të përpiqej ta nxirrte atë jashtë ligjit”,- u shpreh ajo. Zëdhënësja e Kryeministrit, Meçani, theksoi se kjo datë është ndër më të simboliket në historinë e vendit duke ndryshuar të ardhmen e vendit. “20 shkurti është dita e madhe e shembjes së busteve të gjalla të diktaturës hoxhiste, shpartallimit të bllokut-bunker që kishte mbjellë shtypjen më të egër dhe më barbare, persekutimin më të thellë, ekzekutimet, burgosjet, internimet e pothuaj një të katërtës së shqiptarëve dhe kishte zhytur Shqipërinë në varfërinë dhe në izolimin më ekstrem e më të thellë”,- u shpreh ajo.

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›