E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: “Kërkesa e PS për hapje të kutive, parodi tallëse”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kërkesa e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për hapjen e kutive është një parodi tallëse për vetë interesat e socialistëve. Kështu pohon sekretari për Marrëdhëniet Publike në LSI, Luan Rama. “Dëshiroj të nënvizoj faktin se e gjithë vijësjellja politike e kryetarit josocialist të Partisë Socialiste rezulton të jetë fund e krye një demagogji e shndërruar në një parodi tallëse e fyese, në radhë të parë për vetë socialistët, të cilët nuk i bashkon asgjë me interesat e ngushta që mbron dhe përfaqëson kryetari dhe enturazhi i tij josocialist që ka uzurpuar Partinë Socialiste”, - u shpreh Rama. Ai hodhi poshtë pretendimet e PS-së për hapjen e kutive me anë të Kushtetutës, duke deklaruar se lideri i PS-së e ka ndryshuar vetë atë dy vjet më parë. Rama u shpreh se kërkesa e liderit të PS-së, vë në rrezik integrimin e vendit dhe rrezikon ta izolojë atë. Nisur nga kjo, Luan Rama shtoi se selia rozë është në ditët e saj më të vështira. “Partia Socialiste është sot në pikë të hallit: pa lidership vizionar, pa institucione dhe forume që të shprehin dhe mbrojnë demokracinë e brendshme në parti, pa përfaqësim parlamentar, pa alternativë tjetër përveç bojkotit e rrugës, pa miq dhe aleatë ndërkombëtarë, të cilët i ka pasur më të shumtë edhe kur sapo qe krijuar më 1991”,- u shpreh Luan Rama.

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›