E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija me 13 shqiptarë "peng" në Libi, pronari ska paguar doganën

Autori i Lajmit: Redaksia

Një anije shqiptare me 13 persona në bord ka mbetur e bllokuar në një port të Libisë për shkak se kompania nuk u paguan detyrimet doganore. Kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku bëri të ditur me telefon për medien se anija shqiptare “Brustel” e kompanisë “Bruno” sh.p.k ndodhet prej një muaji në Portin Nisurata të Libisë. “Që nga data 22 janar kemi ardhur në portin e Libisë nga Tunizia dhe nuk mund të largohemi nga këtu, pasi agjencia e udhëtimit nuk pranon të na japë dokumentet e anijes, pasi kompania i detyrohet në shumën 39 mijë euro”. Ulqinaku shpjegon se ka kontaktuar me menaxherin e firmës para 4 ditësh dhe asnjë kompromis nuk është rënë mes tyre. Gjendja është rënduar së tepërmi ditën e djeshme kur njërit prej anëtarëve të bordit i vdiq gruaja në Shqipëri nga një sëmundje e rëndë dhe agjencia nuk pranoi riatdhesimin e tij, me asnjë kusht. “Çtë bëjmë, vdekja ndodhi mbrëmë, personi nuk lëviz dot nga Libia. Mbetemi peng i kompanisë që na ka lënë në mëshirë të fatit, pasi nuk na mundëson kthimin ne atdhe. Pronari nuk na hap telefonin”, tha Ulqinaku. Anija “Brustel” është një anije transballkanike dhe merr ngarkesa të përgjithshme. Udhëtimet e gjata nuk janë të parat për këtë anije. Kapiteni rrëfeu se në datën 22, që kur hynë në portin Nisurata, për disa ditë u ankoruan aty, pasi autoritetet portuale nuk i lejuan të hynin në kalatë. “Kemi kaluar dhe një stuhi të madhe gjatë qëndrimit në ato kushte dhe jeta jonë rrezikoi seriozisht, por ai rrezik tashmë kaloi. Më i madhi erdhi më pas, që edhe pasi u hymë në kalatë dhe morëm furnizime me ushqime, karburant, sende që na mungonin prej ditësh nuk mund të largoheshim dot, ndaj apelojmë nëpërmjet Tv tuaj që të na ndihmojnë”.

Pronari i anijes: “Nuk kam
borxhe, u vonua ngarkesa”

Pronari i anijes Alban Tepshi, ka vendosur të reagojë me anë të një telefonate, duke premtuar se do të zgjidhë të hënën çështjen me anijen “Brustel”. “Do i kthej shëndoshë e mirë të gjithë”, tha Tepshi, pronar i kompanisë “Bruno” sh.p.k. Tepshi u shpreh se bllokimi nuk ka ardhur si pasojë e borxheve që ai ka ndaj autoriteteve të Libisë. “Nuk ka asnjë detyrim të papaguar. I kam paguar të gjitha detyrimet. Anija po pret ngarkesën ndaj është vonuar. Ngarkesa do të bëhet në Itali dhe pritet të bëhet të hënën”. Sa i përket akuzave të ekuipazhit se anija është e vjetër dhe e amortizuar, Tepshi hedh poshtë këtë fakt duke u shprehur se “është anija më e re nga të gjitha anijet shqiptare të mallrave”. Tepshi shton se do të paguajë edhe shpenzimet e një prej anëtareve të bordit të anijes që ka pësuar një fatkeqësi në familjen e tij në Shqipëri. “Me paratë e mia do tu paguaj gjithçka”, tha Tepshi.

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›