E Shtunë, 31 Tetor 2026

MIG-ët u shitën me 100 mijë dollarë copa

Autori i Lajmit: Redaksia

(Vijon nga numri i djeshëm)

Më shumë se mungesë parash a nuk të duket si mungesë përgjegjësie e vizioni?
Të dyja mungesat që përmendët janë tipar dallues për lidershipin tonë. As Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, as Kryeministri dhe as ministri i Mbrojtjes nuk janë shprehur ndonjëherë zyrtarisht për marrëveshjen ajrore me fqinjët. Nuk janë shprehur jo vetëm se si do të sigurohet kontrolli ushtarak në ajër, por as për mënyrën e kontrollit të kufijve tokësorë dhe të 30.000 kilometrave katrorë të hapësirës detare? Shqiptarët nuk e dinë a kanë këta një axhendë punësh ushtarake apo nuk kanë? Një doktrinë e mbrojtjes ajrore, kërkesë normale për një shtet që ka hapësirë ajrore për të mbrojtur, nuk është paraqitur kurrë në Parlament dhe në dritën e zhvillimeve aktuale ky vakuum dhe asgjësimi e trafikimi i aviacionit duken të qëllimshëm. Tek varfëria proverbiale e fjalorit ushtarak të lidershipit mund të dallosh pa kurrfarë mundimi papërgjegjshmërinë e angazhimit të tyre me çështjet ushtarake dhe ato të sigurimit kombëtar. Sështë çudi që këtë komedi e sponsorizojnë qindra bizneset serbe të dyndura këtu si dikur dyndja e sllavëve në shekullin e 6-të.
Në këmbim mund tju jenë dhënë Mig-ët tanë, për të cilët thuhet se janë parë në një muzeum të ultranacionalistëve në Serbi. Kuptohet, si shenjë e gjunjëzimit të armiqve të Serbisë në betejat e tyre imagjinare!
Presidenti nuk e ka diskutuar qoftë dhe një herë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar kalimin e sovranitetit ajror në pronësi të të tjerëve. Si mund të jetë “Komandant i Përgjithshëm” pa zonën e tretë të komandimit, e cila përbëhet nga sipërfaqja e përgjithshme që shtrihet mbi dy zonat e tjera tokësore dhe detare? E konsideroj “zonë e tretë” në kuptimin figurativ dhe të vëllimit të forcave mbuluese, sepse në fakt, në epokën moderne hapësira ajrore ka rëndësi të dorës së parë, është zonë më intensive dhe më e shpejtë për ti krijuar probleme një shteti. Por Presidenti se ka ndërmend këtë koncept strategjik. Ai nuk merret me problemet, ndërsa zgjidhjet ia ka deleguar të tëra Kryeministrit. Dhe ky i fundit si zgjidhje gjen likuidimin e flotës ajrore, ndërsa kryekomandanti nuk merr mundimin të pyesë, pale të analizojë pse boshllëku më serioz u krijua atje ku lehtësia e krijimit të problemeve është akoma më serioze.
Kështu, pa asnjë avion në ajër, tank në tokë e me një anije në det ne nuk mund të jemi aleatë që ofrojmë partneritet dhe besueshmëri tek aleatët e tjerë të NATO-s. Jemi, pa dyshim, aleatët leckamanë të saj. Aleatët e dobët, ashtu si dhe nxënësit e dobët në mësime merren në patronazh, siç na ka marrë neve aviacioni italo-grek. Më autoritari i politikave ushtarake amerikane, S. Hantington, thotë: “Aleatët e dobët, të paqëndrueshëm..... janë më shumë pengesë sesa ndihmë”. Realiteti tregon se kryeministri ynë ka zgjedhur të jetë pengesë për NATO-n. Pse-ja e pengimit të Aleancës është shumë kollaj të evidentohet. Ka zhdukur pa nam e nishan çdo mjet luftimi e ndërveprimi ekuivalente me çdo strukturë ushtarake aleate që mund të kërkojë ndihmën e tyre në rast emergjence.

Thatë pak më përpara se për pranimin e parakohshëm, të pamerituar dhe pa standarde në NATO janë shprehur dhe autoritete të huaja ushtarake. Mund ti referoheni konkretisht ndonjërit?
Po. Është shprehur madje ashpër gjeneral Fabio Mini, ish-komandant i KFOR-it në Kosovë. Zoti Mini është një gjeneral potencial dhe kurajoz, i prononcuar me integritet dhe për çështje të tjera delikate të Aleancës. Në komunikimin me një gazetë shqiptare ai ka thënë tekstualisht: “Fakti që Shqipëria paska nevojë të mbrojë hapësirën e saj ajrore me turqit, grekët, italianët apo çfardolloj nacionaliteti tjetër që rezulton anëtar i NATO-s do të thotë se ajo nuk paska qenë gati për të hyrë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”. Mandej në mënyrë taksative e konsideron “futjen e Shqipërisë në NATO si të parakohshme”. Të parakohshëm e konsiderojmë edhe ne ushtarakët shqiptarë. E thashë edhe më përpara që ky pranim duhet të jetë produkt i korrupsionit politik. Ska sesi shpjegohet ndryshe kur shikon standardet mizerabël të Ushtrisë Shqiptare. Pse standarde ushtarake janë ato ku të gjithë gjeneralët shqiptarë kanë kaluar në gjyq ose janë liruar? Pse standarde janë ato ku kryetari i Shtatmadhorisë i dërgon letër Kryeministrit të vendit për katastrofën e hierarkisë e të kompetencave ushtarake dhe ky nuk “laget“ fare? Pse standard është ky i fundit ku Komandanti i Forcave tona Ajrore do të zëvendësohet nga Komandanti i Forcave Ajrore Greke? Kush ka avionët ka komandën e qiellit shqiptar. Nuk ndodh e kundërta. Ske avionë e aviacion, ske komandën e tij. Më duket se personazhi i një romani fantastiko-shkencor “Shitësi i ajrit”, i cili ndërtoi një impiant sekret nëntokësor për thithjen dhe lëngëzimin e ajrit të atmosferës së tokës po bëhet personazh real tek ne. Kemi ajër por skemi komandën e tij. Komanda e tij është shitur nga kryeministri. Sështë çudi që ndonjë ditë të fillojë dhe “lëngëzimi“ e ne të mbetemi fare pa frymë. Është një ndërmarrje e pamundur të thithësh tërë ajrin e Shqipërisë e pastaj ta shesësh me bombola oksigjeni siç ndodh në roman, por unë këtë ndërmarrje e vështroj në kuptimin ushtarak. Në kuptimin ushtarak kjo ndërmarrje është e mundur. Kur ke komandën e ajrit ke dhe mundësitë e pakufizuara për biokimizimin ushtarak të të gjithë hapësirës nën kontroll. Çdo oficer kimist i Forcave të Armatosura e kupton mirë se çfarë duhet të them. Ne i marrim aleatët 100 për qind të besueshëm e miqësorë, por kjo nuk është aspak e saktë. Edhe aleatët më të qëndrueshëm jo rrallë ia kanë “dredhur“ njeri–tjetrit. Që të mos e zgjas këtë konkluzion, shënoni këtë referencë nga mendimi bashkëkohor amerikan: “Për shkak të thelbit të keq të natyrës njerëzore, politika e një shteti të fortë nuk do të jetë e besueshme, edhe kur ai shpall qëllimet e veta më miqësore”. Gjejeni vetë tani se cila duhet të jetë sjellja jonë ndaj politikës së kontrollit ajror të Shqipërisë!?
Të rikthehemi tek ajo që ka thënë gjeneral Mini. Unë mosgatishmërinë tonë për të hyrë në Aleancë e shoh dhe në disa gjëra fare të thjeshta. Kapacitetet tona ushtarake nuk kanë shumë të përbashkëta jo më me standardet e ushtrive të tjera aleate, por nuk përqasen as me ato të vendeve jashtë aleancës. Ne nuk prodhojmë as uniforma dhe këpucë ushtarake, as kazanë dhe garuzhde ushtrie jo më të mendosh për mjete luftarake elementare. Ne e heqim veten partnerë pa qenë në asnjë fushë të tillë. E keni vënë re sjelljen prej rreshteri të eprorëve tanë ushtarako-politikë në marrëdhëniet me të huajt? Sillen kështu, sepse nuk janë dhe nuk bëhen dot partnerë. Nuk kanë çtë afrojnë për ushtritë e tjera përveç dhënies së dekoratave për ushtarakët e tyre. Në këtë kuptim pranimi është tepër i parakohshëm dhe me një kosto të lartë dinjiteti ushtarak në sytë e partnerëve. Pas marrëveshjes ajrore, kam bindjen se kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtatmadhorisë së vendit tonë do të tregohen me gisht. “Këta,- do të thonë,- janë liderët e shtetit të laraskave”. Kanë të drejtë të thonë, sepse laraskat janë tani zotër të hapësirës ajrore shqiptare. Historinë e Shqipërisë, si habitat laraskash, hierarkia jonë e lartë e di të paktën qysh nga dhjetori i vitit 2002.

Si e dinë, se kam shumë të qartë alegorinë tuaj?
Nga glasat që u bëjnë laraskat mbi çatinë e zyrave dhe mbi spaletat e tyre. (qesh ). Jo, bëra shaka! E dinë zyrtarisht, por fatkeqësisht ky është shteti i lidershipit antiushtarak dhe i pacifistëve pa cak. Këta kurrë nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë kalkulime ushtarake, të cilat për një burrë serioz shteti janë gjëra të zakonshme. Këta ia mbathin kur vjen rreziku, prandaj skanë çi duan avionët. Hesapi i vetëm që bëjnë është të shpëtojnë kokën dhe pastaj të lajnë brekët në shtetin-azil. Shembujt i dini apo jo?. Prandaj nuk do të ndalem të ti sjell. Po ndalem tek njeri që është tipik për të gjithë burrat tanë të shtetit, me pak përjashtime. Po ndalem tek një VKM, me Nr. 617, datë 4 dhjetor 2002 i Fatos Nanos, me të cilin ai u bë nismëtar i “Gërdecit“ të aviacionit ushtarak shqiptar. Ky Vendim nxori nga armatimi i Forcave të Armatosura krejt avionët me krahë të palëvizshëm. I bëri kalkulimet sikur ti kishte avionët pjesë të arave të babait. Por llogariti edhe se nuk ishin të përshtatshëm për tia mbathur. Nxjerrja ose më saktë kalimi i tyre në duart e rrjeteve të trafikut u bë pa motivim ushtarak të besueshëm, pa transparencë, pa asnjë konsultim me ekspertët e aviacionit shqiptar ( për të cilët mund të them se në saj të disiplinës profesionale, taktike e shkencore tepër të rreptë në kohën e diktaturës, kishin përgatitje të rangut të pilotazhit më të mirë botëror ). Ngasja për fitimet përrallore që do të vinin nga aviopazaret ishte aq e pafre sa braktisën dhe servilizmat karakteristike ndaj ekspertëve të huaj. Nënshtrimi servil u tregua i pafuqishëm përballë instikteve të hajdutit. Këshillat dashamirëse e në pajtim me ndjeshmëritë tona ushtarake-kombëtare të kompanisë ushtarake amerikane “SAIC“ për të mbajtur një bërthamë të vogël aviacioni nga parku ekzistues gati sa nuk u “kullufitën“, me gjithë park e me gjithë aerodrome. E dini çfarë u thoshte “SAIC“ këtyre? “Ju duhen disa avionë, sepse është çështje dinjiteti shtetëror, vazhdimësie, trajnimi fluturues, identiteti ushtarak por dhe çështje e sigurimit të hapësirës ajrore, etj.” Mirëpo ku donin tia dinin pushtetarët tanë për imazh kombëtar e ushtarak. Duraluminin e Migëve e donin të tërë si mjet këmbimi për xhin, bixhoz e blerje pushteti. Më e neveritshmja ishte hipokrizia e tyre. Nga njëra anë reformat ushtarake dhe në aviacion thoshin se i kërkon Perëndimi, kurse nga ana tjetër vepronin kundër këshillave të tij dhe të ekspertëve të atashuar këtu. A mund ti kërkoni Ministrisë sonë të Mbrojtjes ndonjë protokoll a regjistrim bisede ku ekspertët aleatë të jenë shprehur “zhdukni aviacionin tuaj”? Kërkojeni, por nuk do tju japin gjë. Ju siguroj për këtë dhe për atë që asnjëherë nuk u dëgjuan komandantët e regjimenteve, të bazave ajrore e të skuadriljeve tona. Kostumi perëndimor i reformave në aviacion e kudo u përdor për të mbuluar me zëra perëndimorë zhurmën e “këmbanave të vdekjes“ së aviacionit e të armëve të tjera, çka i bën trafikantët e pushtetit akoma më fajtorë, sepse orvaten të ngatërrojnë aleatët me meseletë e tyre të pista dhe antireformatore. Prandaj, jo pa qëllim ju kërkova të gjeni qoftë dhe një prononcim aleat për arsyetimin e qëndrimeve të pushtetit këtu dhe jo vetëm me aviacionin.
Aktualisht avionët shqiptarë janë nxjerrë në treg për 100 mijë dollarë copa. Nuk di çkomision fshihet pas këtij çmimi zyrtar qesharak, por di se pas tyre qëndrojnë trafikantët politikë shtetërorë të cilët bëjnë “pazaret ajrore“ ilegale, disafish më shumë. Është më se e sigurt se “borgjezia e re“ u formua dhe me duraluminin e Mig-ve çka përbën një faqe të zezë në historinë e interesave të saj për sovranitetin. Shkoni investigoni aerodromet ushtarake që janë katandisur në një heshtje shkretëtire. Në pistat e tyre nuk ngrihen më avionë por ngrihen para me destinacion llogaritë e huaja bankare. Kjo është shumë e dhimbshme! Por më e dhimbshme është për pilotët tanë, të cilët nuk mund ti ngrenë më sytë nga qielli! Duken si zogjtë e çorientuar që kanë rënë në tokë nga lartësia, sepse ua kanë prishur folenë.

Çfarë janë avionët me krahë të palëvizshëm dhe a kryhej dot “Air Policing“ nga ky tip avionësh të Forcave të Armatosura Shqiptare?
Avionë me krahë të palëvizshëm nuk ka pasur vetëm Shqipëria ose Forcat e saj Ajrore, por me krahë të palëvizshëm janë shumica e tyre në të gjithë ushtritë e vendeve të NATO-s dhe të vendeve të tjera që disponojnë aviacion. Ka avionë me krahë pak të lëvizshëm apo me gjeometri të ndryshueshme të krahëve për tu dhënë formë më aerodinamike gjatë fluturimit e misioneve ajrore, megjithatë edhe këta tipa hyjnë në grupin e avionëve me krahë të palëvizshëm. Avionët e të gjitha llojeve konsiderohen me krahë të palëvizshëm, por ky emërtim përdoret për ti ndarë ata nga grupimet e helikopterëve. Tek helikopterët rolin e krahëve dhe të forcës ngritëse e shtytëse e luan helika e lëvizshme e në këtë kuptim ata hyjnë në grupin e mjeteve fluturuese me krahë të lëvizshëm. Por sështë kjo ndarje thelbi i çështjes. Thelbi i çështjes është nxitimi antidialektik e antiushtarak për ti mohuar avionët tanë pa pohuar, d.m.th pa bërë zëvendësimin e tyre me tipa më bashkëkohorë.
Nxitimi nuk është për modernizim dhe për reformim por për përfitim privat. Pjesa financiare që nuk mund të përfitohej privatisht dhe që ishte më e paktë u përdor për krijimin e epërsisë në garën për pushtet, për mbulimin e deficiteve të drejtimit të keq ekonomik të shtetit dhe për financimin e grupimeve shoqërore të privilegjuara. Ushtria në tërësi dhe Forcat Ajrore në veçanti ishin një oaz i madh parash për përballimin e çdo krize të pushtetit. Ky oaz ishte larg syve të opinionit publik dhe vjedhja mund të bëhej lehtë duke u maskuar pas siglës “Top Sekret“. Mbuluar me rregullat e sekretit u vunë në veprim rregullat e qametit. Gradat e funksionet jepeshin për më të bindurit e të nënshtruarit ndaj rregullave të qametit, dmth të zhdukjes pa adresë. Mafia ushtarake sigurisht e dinte adresën. Ajo di dhe pse pjesa e mbetur e avionëve të të gjitha serive të Mig është çmontuar aktualisht dhe është futur nëpër arka? Ajo di se plani i “këmbimit të vendeve” të avionëve tanë me krahë të palëvizshëm me të njëjtët tipa të avionëve grekë për patrullimin e hapësirës ajrore shqiptare ka qenë i programuar dhe jo i rastësishëm. Ajo di, gjithashtu, se emërtimi i shumë tipave e serive të avionëve Mig me llagapin e “krahëve të palëvizshëm“ u bë me qëllim diabolik për të dhënë idenë e likuidimit të mjeteve fluturuese të prapambetura, statike dhe jo dinamike për kohën. Vlera e tyre “e parëndësishme” nuk do të zgjonte interesin e investigimeve “të rëndësishme“ dhe kështu qëllimi do të përmbushej pa shumë bujë e zhurmë.
Besoj e morët vesh çfarë është përralla e “krahëve të palëvizshëm“? Kjo qe një nga mënyrat me të cilat aviacioni ynë ushtarak mori një grusht që zor se dhe armiqtë e Shqipërisë do tia jepnin. Ky grusht do të vazhdojë të jepet dhe mbi ata avionë të mbetur, të futur nëpër “arkivole“ ( arka-gaz.) përderisa tani asetet avioajrore do të menaxhohen nga një zëvendësministër i emëruar rishtaz dhe që nga opinoni publik e ushtarak njihet si kryefalangist i grushtit ushtarak të 14 shtatorit të 1998. Grushti kundër aviacionit me grushtin ushtarak kundër shtetit nuk kanë shumë dallime. Me këtë përzgjedhje të lidershipit politik të ushtrisë situata e mëtejshme më duket e zymtë.
Madje nqs avionët e “Air Policing-ut“ grek dhe të Eurofighter-it ( që nuk janë italianë, në të vërtetë, por të NATO-s ) do të bazohen këtu, ka rrezik që ti vjedhin dhe ti trafikojnë njëlloj si Mig-ët tanë (qesh !). Këta shtetarë që kemi se kanë për gjë ta ngrysin avionin e huaj në Rinas dhe ta gdhijnë tek talebanët. Do të mjaftonte një pazar më i mirë dhe kaq. Horra dhe tradhtarë i konsideron piloti dhe patrioti Qirjako Dhima kur identifikon fundin e tmerrshëm të aviacionit shqiptar dhe mendoj se ka të drejtë. Qirjakoja është ndër njohësit dhe drejtuesit e shkëlqyer të flotës ajrore shqiptare dhe konsideracionet e tij janë me peshë. Tek ai, Komandanti i Përgjithshëm mund të piketojë kryeekspertin, nqs do ti interesonte, një raport i hollësishëm për ideatorët dhe ekzekutorët e shkatërrimit të aviacionit ushtarak. Sduhet të kalojë kjo çështje pa një gjyq të shkallës gjenerale dhe superpiloti që mund ti japë atij prova dhe fakte të pakundërshtueshme për penalizimin e përgjegjësve, është personi që përmenda. Kushdo e pret gjykimin e tyre. Të zbulohet kush ka “votuar“ për shkatërrimin e aviacionit ushtarak. Shkatërrimi i tij dhe futja e avionëve të huaj janë e njëjta çështje.

Nuk dhatë përgjigje për pjesën e pyetjes që ka të bëjë me mundësitë tona për “Air Policing“.
Po e drejtë. Më mirë se unë do ta jepte këtë përgjigje Qirjako Dhima, i cili siç ju thashë ka qenë një pilot-shkollë dhe një drejtues me kulturë të lartë drejtimi e trajnimi ajror, por atë nuk e kemi këtu dhe kjo më mbetet mua. Para se tju shpjegoj më tej, në parantezë ju kërkoj juve dhe medias në përgjithësi të bëheni iniciatorë të debateve e të ballafaqimeve publike ndërmjet ekspertëve të aviacionit dhe të shtetarëve që kanë marrë vendime për “importin“ e “Air Policing“ në Shqipëri. Është fare normale të bëhen këto debate në mënyrë që opinioni publik e ushtarak të gjykojë paanshmërisht kush është përgjegjësi ose fajtori për situatat e degradimit të ruajtjes së kufirit ajror. Nuk është as NATO-ja, as ekipet e specialistëve të SHBA-së urdhëruesit e reduktimit me themel të aviacionit tonë luftarak. Urdhëruesit e kësaj marrie antikombëtare e antiushtarake kanë qenë dhe janë brenda shtetit tonë, brenda radhëve tona, hanë e pinë me ne dhe në mëngjes japin urdhra për eliminimin e aviacionit, kurse në darkë dalin e mburren për marrëveshjet e patrullimit ajror me të tjerët. Hiqen si reformatorë perëndimorë, por konsultimin dhe transparencën me ekspertët dhe me publikun e kanë lindore. Unë ju kërkoj të bëheni ndërmjetës për debate publike, por druaj se kjo ska për të ndodhur. Shtetarët e “pazareve ajrore“ nuk mund ti pranojnë këto debate, sepse e dinë që janë të humbur. Ekspertët e aviacionit shqiptar janë ekspertë “kalibri“ dhe unë që i kam dëgjuar nuk kam pikë dyshimi se do ti vënë ata me shpatulla për muri. Unë e di se çka parasysh Qirjako Dhima kur kërkon me ngulm që “le të dalë dikush dhe të argumentojë ….se aviacionit shqiptar i ka kaluar koha“. Rezultantja e debatit do të jetë që këta të dytët duhen përfshirë domosdoshmërisht si subjekte të ligjit dhe të atyre neneve që i ndëshkojnë rëndë. Kjo do të ndodhë sepse, së pari, aty ka shkelje që kanë sjellë dëme në avionë dhe në sovranitetin ajror, së dyti, aty ka shkelje që konsistojnë në dhënien e ndihmës për njerëz e firma që kanë trafikuar avionë me mënyra kriminale, së treti, sepse aty ka mendje fajtore ( “mens rea“ ) që qëllimisht e boshatisën hapësirën nga avionët tanë për ta mbushur me avionët e fqinjëve. Ekspertët ajrorë shqiptarë, do ta shihni, se do tju japin argumente publikisht për të tria pikat që nënvizova më lart. Prokuroria ka punë të madhe në qoftë se e heton çështjen e aviacionit, por pak ose aspak kemi besim tek ajo. Ajo zvarriti dhe mbylli një çështje jetësh njerëzore jo më të hapë një çështje mjetesh teknike. Është një prokurori që nuk sinkronizohet me ndjeshmëritë kombëtare. Ju keni merak se a janë në gjendje avionët shqiptarë të kryejnë “Air Policing“? Përmes gjithë atyre mendimeve që shpreha më sipër kjo del, megjithatë ja ku e keni troç: Janë që çke me të. Por kuptohet që meraku juaj e ka bazën tek dezinformacioni shtetëror për papërshtatshmërinë e tyre. Është karakteristikë e përbashkët e të gjithë mafiozëve shtetërorë që, kur duan të futin kthetrat në pasurinë kombëtare siç është dhe aviacioni, përhapin më përpara dezinformacione për mungesën e vlerave teknike dhe operacionale të tyre. Kjo bëhet me qëllim që nga njëra anë kjo pasuri të duket e papërfillshme dhe nga ana tjetër të ulet niveli i vëmendjes së opinionit kundërshtar. Ju duhet ta dini dhe ta publikoni gjerësisht se Mig-ët tanë kanë të gjithë parametrat e nevojshëm për patrullimin dhe interceptimin e avionëve terroristë. Terroristët nuk do të rrëmbejnë avionë luftarakë për të goditur objektivat e tyre, por avionë të mëdhenj transporti me 30.000 e më shumë litra karburant dhe me kapacitet të lartë pasagjerësh. Kjo, sepse duan të godasin qendra potenciale ku shkalla e dëmeve të trondisë shtetin dhe drejtimin e tij. Një avion luftarak nuk i ka këto mundësi. Pra mbetemi tek eventualiteti i rrëmbimit të avionëve të mëdhenj transportues, të cilët nuk lëvizin me shpejtësi më të madhe se 800 km në orë e në një tablo të tillë rrëmbimi, ju nuk e kini të vështirë të arrini në konkluzionin se çdo avion yni mund ti mbërrijë ata dhe të zbatojë misionin.

Çfarë shpejtësie kanë avionët tanë ose ish- avionët tanë luftarakë?
Po marr Mig-17-tën për arsye se është i vetmi avion shqiptar që gjatë tërë karrierës së vet nuk ka pësuar pothuajse asnjëherë defekte ose të ketë rrezikuar efektivin fluturues. Pse çuditeni?

Mu kujtua se një nga arsyetimet e përdorura para disa vjetësh për nxjerrjen e avionëve tanë jashtë përdorimit kishte të bënte me faktin se ata janë defektozë dhe të amortizuar.
Sapo ju fola më lart për dezinformacionin e tipit mafioz. Unë këmbëngul dhe ju kërkoj ta regjistroni fort në memorien e gazetës se këto janë përralla të “Kamorrës Militariste”. Pyesni të gjithë pilotët për të cilët unë jam gati tju jap emrat, se sa është kjo e vërtetë. Është tmerrësisht e pavërtetë!. Asnjë pilot ose drejtues i tyre nuk e ka thënë këtë gjë dhe fakti që këta kurrë nuk u pyetën tregon sesa frikë kanë pasur nga gjykimet e tyre. Të vijmë tani tek Mig-17 për të mos i rënë shumë rrotull. Siç ju thashë, ska pësuar kurrë avari gjatë fluturimit. Është një avion parasonik që fluturon me një shpejtësi pranë asaj të zërit ose me rreth 1175 km/orë dhe çka e bën të denjë për “Air Policing“, është kalimi brenda 1-2 minutave në regjim forsazhi ( shpejtësi maksimale ) gjë që e mundëson ti afrohet në kohën më të shkurtër objektit terrorist ajror. Manovrueshmëria e Mig-17 në rrafshin horizontal dhe vertikal është shumë e madhe. Riparimi kapital i motorit të këtij tipi bëhet pas 200 orësh fluturim. Kjo është një kohë e madhe qëndrimi në ajër e barazueshme dhe ndoshta më e lartë se e disa avionëve të tjerë bashkëkohorë. Mund të qëndrojë në hapësirë pa pasur nevojën e rifurnizimit për afro 1 orë e 40 minuta, kohë, gjatë së cilës mund ta kontrollojë atë kryq e tërthor, madje me metra. Kryesore dhe që kërkoj ta nënvizoni është se ky lloj avioni nuk mund të konsiderohej kurrë i vjetër për arsye se në hangarët e tij ka pasur dhe ndofta ka 2-3 motorë rezervë “akull“ të rinj, si i thonë fjalës. Po të kesh motorë avioni për zëvendësim ja ku e ke dhe avionin e ri. Skafandra dhe skeleti i duraluminit nuk janë kurrë të vjetërueshëm. Ndoshta zhdukja e aviacionit u bë me qëllimin djallëzor për të eliminuar kontigjentin e njerëzve patriotë që kurrë nuk e turpëruan armën dhe vendin e tyre.

Megjithatë Mig-u që ju trajtuat është defiçitar në raport me tipat modernë të aviacionit të sotëm, ta zëmë me F-16 grek, i cili do të kryejë “Air Policing-un” në hapësirën tonë ajrore. Pse ju nuk përmendët tipat tanë më të avancuar, siç janë Mig-19 apo Mig-21?
Nuk është i nevojshëm ky krahasim. Mig-17 nuk do të përdoret për beteja ajrore, por për patrullim. Nga ana tjetër nuk do të ndeshet me avionë luftarakë me parametra të lartë manovrimi ose goditjeje ajër-ajër, por do të përpiqet të shmangë nga objektivat ose ta detyrojë një avion të rrëmbyer nga terroristët të ulet në vendin e përcaktuar. Gjithsesi, avionët e mundshëm për tu rrëmbyer do të jenë avionë transporti dhe këta Mig-17 i tejkalon në manovrim, në shpejtësi dhe po të jetë nevoja edhe i asgjëson. Ka dy topa të kalibrit 23 m/m dhe një top 37 m/m, por merr dhe ngarkesa aviobombash nga 50-200 kg secila. Mund të asgjësojë me sukses helikopterë apo çartera terroristësh, trafikantësh armësh, droge, etj. Kjo, sepse shpejtësia e tij është e mjaftueshme për ti vënë nën kontroll menjëherë sapo zbulimi radioteknik yni apo i fqinjëve ti pelengojë. F-16 grek që do të patrullojë qiellin tonë vërtet që ka një shpejtësi rreth 700-800 km më shumë në orë dhe armatim më të sofistikuar, por të mos harrojmë se ai nuk do të ngrihet nga bazat ajrore të Shqipërisë, por të Larisës ose të Athinës në Greqi. Kështu që, kohën e interceptimit do ta ketë të njëjtë me një avion më të ngadalshëm, por që ngrihet nga aerodromet tona. Sa të vijë avioni grek në kufirin tonë, avioni ynë ka mbërritur në destinacion dhe kjo sështë pak. Është marrje nën kontroll e situatës. Situata për avionët grekë F-16 do të ishte më e favorshme nqs ata do të stacionoheshin në vendbazimet e çifteve roje që kemi pasur në aerodromet tona ushtarake, por kjo gjendje do të ishte akoma më poshtëruese për ne. Megjithatë, sështë çudi që të jetë dhe kështu. Unë nuk di hollësira çfarë përmban marrëveshja e kontrollit ajror dhe a është ratifikuar ajo nga parlamenti, por sidoqoftë një gjë e di. Për të qenë në pushtet qeveritarët janë të gatshëm të “mbarsen“ dhe me djallin e pastaj ti japin si dhuratë të gjithë avionët tanë. A nuk e lejuan ata kompaninë ushtarake greke të superarmatosur të stacionohej këtu dhe të bënte ligjin më 1997-ën?. Megjithëse ishte brenda territorit të kazermave të njësive tona ushtarake dhe rregulli e donte që kjo kompani tu nënshtrohej procedurave tona si formacion më i vogël që ishte, ajo vendosi një sistem autonom të kontrollit të hyrje-daljeve të ushtarakëve tanë në njësinë ku u vendos. U bë zot në kazermën tonë ushtarake. E njëjta gjë mund të ndodhë nqs do tu japim këtu një pistë fluturimi. Do të sillen si zotër jo vetëm të ajrit, por dhe të tokës sonë. Është diskriminuese për një ushtri aleate të NATO-s.
Pse nuk përmenda Mig-19 apo Mig-21 thoni ju?. Këta janë supersonikë dhe më të shpejtë se Mig-17, por unë u nisa nga disa parametra të tjerë. Pilotët tanë më me eksperiencë rekomandojnë Mig-17 për arsye se ky, siç e thashë, nuk ka pësuar asnjëherë avari në karrierën e vet. Është njëmotorësh, harxhon dy herë më pak karburant për minutë, qëndron dyfish më gjatë në ajër se Mig-19, e bën riparimin e motorit pas 200, jo pas 100 orësh fluturimi siç e ka Mig-19, etj. Kryesore është fleksibiliteti i lartë i Mig-17 dhe manovrimi i zhdërvjellët i tij. Ngjason me atë akrobatin e cirkut që mund të prekë çdo pikë të vështirë të tendës nga çdo pozicion që ndodhet. Nuk duhet lënë pa përmendur përparësia që, duke pasur shpejtësi pak më të vogël se të tjerët, i mbikëqyr më mirë qoftë objektet ajrore, qoftë ato tokësore. Arrihet qëllimi më i mirë survejues me këta avionë. Natyrisht, me pilotë të mirë dhe ne i kemi ata shumë të mirë. Pilotët tanë, përfshi edhe ata të pensionuarit para kohe, kanë avantazhin që nuk e ka asnjë pilot i importuar. Njohin të gjitha rrymat ajrore, sidomos, të atyre luginave e korridoreve ajrore ku mund të kryhet pirateri ose terrorizëm.

Sa karburant harxhon një Mig-17, sepse është përmendur konsumi i madh i tyre?
Kjo është një pyetje shumë teknike. Nuk llogaritet harxhimi i karburantit para dinjitetit të shtetit. Nga kush është përmendur ky konsum? Nga shtetarët tanë?

Po, nga ata është dëgjuar.
E mora me mend, sepse ata gjejnë yçkla të tilla. Janë tregtarë pastaj shtetarë. Mig-17 harxhon afërsisht 14 litra në minutë, por kjo sështë hiçgjë para harxhimeve marramendëse që bëjnë shtetarët me helikopterët ushtarakë dhe me helikopterët qeveritarë. Veçanërisht “tmerri i zi“ të kap kur e krahason me harxhimet marramendëse të administratës në “dietë”, korpusi 105 mijësh i së cilës, - siç thonë,- vetëm gjatë “patrullimit plazhist” shpenzon afro 80 000 mijë litra karburant në minutë ose 95.2 litra në sekondë. Çfarë është para kësaj batërdie një Mig-17, i cili sikur të rrijë në kufijtë maksimalë të kohës në ajër, d.m.th një orë e 40 minuta nuk harxhon veçse 1 400 litra? Por ju duhet ta dini se ky avion nuk do të qëndrojë kaq gjatë në ajër. Me 1 400 litra ai do të kryejë 2-3 misione patrullimi dhe vetëm në rastet kur do të marrë sinjalin e shkeljes së hapësirës ajrore. Terroristët dhe piratët nuk do të jenë vizitorë të përhershëm të qiellit tonë dhe Sali kryeministri ska përse të shqetësohet. Dy kullat binjake pranë Kryeministrisë së tij dhe vetë Kryeministria e tij duke qenë se janë aq shumë private nuk hyjnë ndër objektivat me përparësi të terrorizmit. Terrorzmi, siç thamë, kërkon objektiva “me peshë” që të paralizojnë funksionimin afatgjatë të shtetit.

Thatë se një avion i rrëmbyer nga terroristët mund të rrëzohet. A nuk është e tmerrshme kjo kur ka qindra pasagjerë?.
Po e nis nga e dyta. Unë e kisha fjalën për rastin e veçantë jo për të gjitha rastet. Situata që unë parashikova lidhet me një nevojë ekstreme, por dhe në kufijtë maksimalë të kësaj nevoje duhet bërë çështë e mundur të shpëtohet jeta e pasagjerëve. Çfarëdo kombësie, shtetësie, race të jenë njerëzit janë pasuria më e çmuar e secilit komb e shtet përfshi dhe shtetin ku i ka zënë halli të fluturojnë. Nuk ia vlen tu themi lexuesve të gazetës suaj kur është rasti ekstrem i asgjësimit, sepse kjo është një çështje e vendimmarrjeve më të larta shtetërore, që i jepen për tu zbatuar pilotit të avionit ushtarak. Megjithatë, si do të bënit ju në qoftë se avioni i transportit, ta zëmë me 200 pasagjerë do të bënte kamikazin mbi një objekt, port, aeroport, stadium, central atomik si ata që ka në plan kryeministri ose diçka tjetër ku dëmet do të ishin 2000, 3000, 5000 e më shumë të vrarë nga përplasja dhe rrezatimet radioaktive? Do të zgjidhnit sakrifikimin e dyqindëshes apo jo? Ndryshon puna kur mjeti ajror terrorist është çarter, helikopter, hidroplan, biplan, anije, etj., ku janë vetëm terroristët, armët, droga ose ndonjë mall tjetër i ndaluar i tyre. Në këto raste vendimmarrja është e shkallës më të ulët. Por kjo është një fushë ku do të më duhet tju fus në konceptet e operacionalitetit, të misioneve luftarake ajrore, të zinxhirit të komandimit të efektivit fluturues, të hierarkisë së urdhrave e kjo nuk është e nevojshme ose më mirë të themi, me interes për lexuesin tuaj.

A do të paguhet Greqia për ruajtjen e hapësirës sonë ajrore?
Fola disi në mënyrë alegorike, sepse dhe unë e kam të konfirmuar këtë pagesë vetëm nga një burim. Megjithatë do tua u them dhe nqs nuk është e vërtetë.
Qeveria le të thotë si qëndron puna realisht. Le ta përgënjeshtrojë dhe unë e kolegët e mi do të tërhiqemi. Kjo të bëhet me transparencë ama? Nga burimi ku po bazohem dhe ky është një burim me origjinë nga oficerët me uniformë në MM rezulton që taksa e shtetit shqiptar për “Air Policing“ do të jetë 200 milionë euro. Po, po 200 milionë euro, jo 20!! Kaq është shifra që thuhet. Po të jetë kaq i bie që të shesim Imamin, Boden, Sherefedinin, Milopetraqin me gjithë pronat e tyre dhe ndoshta edhe Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura që ti sigurojmë këto para. Nuk e di kujt do ti paguhen, shtetit grek, atij italian, të dyve së bashku apo NATO-s? Nuk e dimë sa do të jetë intensiteti i inkursioneve të zbulimit ajror dhe a do të jenë këto inkursione të tipit vërdallisës e ditorë apo të kufizuara vetëm për situatat kur do të merret sinjali radiolokativ dhe pa lejen e autoritetit të kontrollit të trafikut ajror? Një “Air Policing“ i llojit të fluturuesve turistikë pa një plan të kufizuar për situatat kritike të shkeljes së kufirit ajror është tepër i kushtueshëm për shtetin tonë ose më mirë me thënë për qytetarët tanë. Kush do ti mbajë në kurriz 547 900 eurot në ditë nqs shuma që përmendëm është bërë firmë e vulë e kryeministrit? Për shqiptarët ky nuk është patrullim ajror, por një “bombardim“ ajror. Një herë po ti mbushë serbatorët dhe rezervuarët F-16-ta kushton një djall e gjysmë. Do të kemi 6 611 litra herë 2 dollarë litri baraz 13 222 dollarë për një mision. Për 3.5 milionë shqiptarët, 200 milionë eurot e taksës së ajrit ua “shtrojnë“ mirë kurrizin me rreth 75 000 lekë për kokë. Gjeneral Mini, me sa kam kuptuar, përveç opinioneve e kritikave për pranimin e parakohshëm të Shqipërisë në NATO ka parasysh edhe këto kosto të larta të “Air Policing“ kur hedh idenë e polemikave dhe të përmasave të tyre politike në Shqipëri.

Kush është Pëllumb Zaimi?

- Dalë në rezervë në gusht 2003
- 32 vjet oficer
- Në vitet 1980-84, punonjës shkencor në Sektorin e Studimeve Ushtarake dhe Shkencore të Ushtrisë
- 1984-87, pedagog në Katedrën e Përgatitjes Taktike Operative në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
- 130 artikuj shkencorë të botuar në shtypin e kohës
- Në vitet 1990-2003 ka botuar në shtypin ushtarak analiza mbi ushtrinë dhe shkatërrimin e saj.
- Në prill 1998 është emëruar Shef i Inspektimit të Forcave Ajrore, në vitin 2001 u emërua edhe shef i zyrës së gjeneralit të Forcave Ajrore, funksion të cilin e mbajti deri ne vitin 2003.
- Zaimi është antikonformist dhe këtë e ka treguar edhe gjatë viteve të regjimit komunist. Në vitet 1987-1990 koloneli u shkarkua si pedagog i Shtatmadhorisë dhe më pas u përjashtua nga partia, sepse guxoi të kritikonte komandantin e Akademisë, i cili kishte kopjuar materialet e studimit të një majori sovjetik për temën e disertacionit.
- Aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ushtarakëve të Kryeqytetit

Neser do të lexoni:

- Çfarë ndodhi me helikopterët tanë?
- Në çraport jemi për mbrojtjen e ajrit
me maqedonasit dhe fqinjët e tjerë?

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›