E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, Rama në tryezë krerët e majtë dhe të djathtët në opozitë

 

Kreu socialist mblodhi dje për herë të parë në një tryezë kryetarë partish të djathta dhe të majta, por dhe grupe interesi për të marrë mbështetjen e tyre për protestën. Në një nga lokalet luksoze te “Dy Kullat binjake”, përballë godinës së Kryeministrisë, mbështetja e Ramës nga aleatët e djathtë dhe të majtë nuk ka ardhur e plotë. Të djathtët, mbështesin idenë e protestës për bërjen e transparencës së kutive të votimit, por nuk do të jenë prezentë në shesh me PS-në. Ndërsa aleatët tradicionalë të majtë, Milo e Gjinushi, por dhe Veliaj, do të jenë në krah të PS-së në protestën e së shtunës. Kryesocialisti Edi Rama ftoi dje në mesditë, në një kafe informale, Skënder Gjinushi, Vangjel Dulen e PBDNJ, Paskal Milo PDS, Erion Veliaj G99, si dhe kryetarë të partive të djathta Nard Ndoka PDK, Spartak Ngjela PLD, Dashamir Shehi LZHK, Ylber Valteri PBD, ish drejtues të LSI, Ndre Legisi, Mustafa Muçi, ndërsa nga shoqëria civile kanë qenë të pranishëm, Kol Nikolla përfaqësues i Sindikatave, Fiqiri Xibri, përfaqësues i Minatorëve, Isa Gorica, përfaqësues i Pensionistëve, si edhe një përfaqësues nga ish-ushtarakët. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe ish deputeti i PD, Preç Zogaj. Kreu socialist Edi Rama pas takimit u shpreh i kënaqur për mbështetjen që mori nga partitë e spektreve të ndryshme politike për rrugën që ka nisur PS. Kreu i partisë më të madhe në opozitë paralajmëroi një vazhdë të këtyre protestave në të gjithë vendin. “Rruga fillon të shtunën në bulevard dhe nuk mbaron, por vazhdon në të tjera sheshe të Shqipërisë. Vendimi për bojkotin e Parlamentit është i gjithë shqiptarëve. Çdo pushtet i lindur jo nga vota e lirë është i destinuar të përfundojë keq”, theksoi Rama në një prononcim për gazetarët, pas përfundimit të takimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›