Agolli: Nano më ka përmendur vdekjen
Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli iu përgjigj dje në “Ora News” një deklarate të Fatos Nanos, bërë pak ditë më parë në gazetën “Panorama”. Agolli tha dje se nuk është shfrytëzuar asnjëherë nga askush dhe as nga Rama, ndërsa kujton se Nanon ai e ka propozuar dhe bindur për të marrë postin e Kryetarit të PS-së në 1991.PS do të zhvillojë një protestë ditën e shtunë për bërjen e transparencës dhe hapjen e kutive të votimit. Mendoni se PS do të arrijë qëllimin e saj me këtë protestë?
PS do të bëjë përpjekje për të arritur qëllimin, por se çfarë do të bëjnë ata që e kanë në dorë realizimin e kërkesave të saj është gjë tjetër, por veprimi është i drejtë, demokratik dhe kërkon një zgjidhje. Sepse opozita këtë punë ka.
Ju keni deklaruar se bojkoti i Parlamentit nuk duhet të jetë i përhershëm, ndërkohë që PS vazhdon të mos paraqitet në Parlament. Si e shikoni një qëndrim të tillë?
Unë tani për tani s’mund të them se si është bojkoti i tanishëm, por gjithnjë bojkotet nuk kanë qenë të vazhdueshme. Është provuar dhe nga parti të tjera që e kanë bojkotuar parlamentin vite më radhë dhe nuk kanë arritur gjë, dhe në vitin e fundit u kthyen në Parlament. Edhe PS kur ta gjejë rastin do të hyjë në Parlament.
Sa mendoni se duhet të zgjasë bojkoti i PS?
Zgjatja është në varësi të plotësimit të kërkesave të saj, deri në hapjen e kutive të votimit.
Edhe pas gjashtë muajsh ju mendoni se mund të zgjasë bojkoti, pasi pas këtij afati deputetët e PS-së që nuk kanë bërë betimin, humbin dhe mandatet e tyre?
Nuk mendoj se bojkoti i tyre do zgjasë gjashtë muaj. Po ja unë do të bëj një pyetje, nëse digjen kutitë e votimit, çfarë do të bëhet?!
Ish kryetari i PS-së, Fatos Nano, është shprehur gjatë një deklarate, se ju jeni shfrytëzuar nga Rama gjatë një vizite që ky i fundit ju bëri në shtëpinë tuaj. Cila është përgjigjja juaj për këtë deklaratë?
Ajo nuk është shfrytëzim, sepse mundet që unë ta kem shfrytëzuar. Një mik që të vjen në shtëpi, nuk do të thotë se të ka shfrytëzuar. Prandaj them se Fatos Nano e ka gabim, kur thotë se Edi Rama më ka shfrytëzuar mua. Unë jam një njeri 78 vjeç, që kam qenë si themelues i PS-së, para Fatos Nanos. Unë dhe të tjerë e kemi marrë Fatosin në PS për t’u bërë kryetar, sepse ai nuk pranonte. Kështu që s’ka sesi unë, një themelues të më shfrytëzojë kush. Unë nuk jam nga ata që shfrytëzohem, sepse unë nuk kam vetëm fjalën dhe të flas vetëm për politikë, por kam dhe librat e mi. Do të mi bëjë njeri librat e mi?! Unë jam i pavarur dhe i lirë nga kjo anë, i pavarur relativisht, sepse jam i varur nga lekët, nga tregu, për të blerë sendet e nevojshme. Vetëm nga paraja mund të jem i varur, ndërsa nga mendimi jam krejt i pavarur dhe mund t’i shpreh gjërat ashtu siç i mendoj. Dhe të mos i vijë keq Nanos nga kjo gjë, sepse në një shkrim, njëherë, ai ka shkruar që Dritëro Agollit nuk duhet t’i shkojë asnjeri në varrim. Cila është më e rëndë, ajo që thashë unë apo ajo që ka thënë Fatosi?! Është botuar ky shkrim. Atëherë unë duhet të rrija pa folur? Po Edi Ramës që i tha ndyrësirë, mason, nuk është e rëndë? Ndyrësira, çfarë është, nuk është qenef? Atëherë pse i erdhi keq atij nga fjalët e mia?! Po vdekja që e kërkon, për mua nuk është e rëndë?! Fatosi mendon se kur thotë fjalët e tij të tjerët duhet të heshtin, ai flet nga ahengjet e bixhozit, ndërsa ne shkojmë bëjmë pazare këtu në Shqipëri dhe ai ka kurajo dhe flet!