E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 20 nëntorit, Rama kërkon sensibilizimin e qytetarëve

TIRANE- Dy ditë para protestës afatgjatë në mbrojtje të votës, kreu i opozitës Edi Rama ka kërkuar sensibilizimin e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë.

“Të gjithë ata që duan të jetojnë të lirë, të gjithë ata që duan të kenë të drejta të barabarta me pinjollët e familjes në pushtet dhe me kryefamiljarin që e ka kthyer qeverinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në një mjet për të pasuruar familjen e tij. Të gjithë biznesmenët e vegjël që nuk duan të falimentojnë në janar për shkak të kalimit arbitrar të tyre si biznes i madh nën regjimin e disa taksave të papërballueshme. Të gjithë të papunët, të gjithë mësuesit, të gjithë mjekët, të gjthë ata që trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në këtë vend, të gjithë ushtarakët që nuk gjejnë të drejtën që u ka dhënë ligji, të gjithë shqiptarët që në datën 20 nëntor pasdite në sheshin Skënderbej kanë të gjitha arsyet, të drejtën e zotit e të ligjit për ti rezistuar këtij pushteti të korruptuar” theksoi Rama.

Duke ju referuar deklaratave të kryeministrit Berisha, kreu i selisë rozë e ka cilësuar të turpshëm qëndrimin e tij për mohimin e kontributit të socialistëve në procesin e anëtarësimit në NATO.

“Me paturpërinë më të madhe sali berisha edhe sot mohoi rolin historik të opozitës për integrimin në NATO, ndërkohë që në NATO do të kishim hyrë kohë më parë në rast se nuk do të ishte bërë Berisha pengesë me shembjen e shtetit gjatë pushtimit të parë të Republikës” u shpreh kryesocialisti.

Në rrugën “Komuna e Parisit” kreu i PS ka shpërndarë për qytetarët ftesat për mitingun që do të zhvillohet në datën 20 nëntor me sloganin “Dua të shoh votën time”. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›