Protesta e djeshme, Rama falenderon qytetarët
Tiranë- Kreu i PS-së, Edi Rama ka falenderuar sot qytetarët për pjesëmarrjen në protestën e djeshme në mbrojtje të sigurisë dhe drejtësisë.
Gatë një konference për shtyp, ai ka deklaruar edhe një herë se Berisha është i dyshuari i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa ka shprehur mbështetjen e plotë për drejtësinë, që hetimet e nisura t’i çojë deri në fund.
“Ne kemi detyrim të madh, që në këtë parlament të bëjmë kuadrin ligjor për zgjedhje të lira e të ndershme, mes të cilave do të mundim politikën e vjetër të Sali Berishës, jo vetëm të ndryshojmë mazhorancën e qeverinë, por do të ndryshojmë Shqipërinë”- ka theksuar Rama, në fjalën e tij para mediave.
Ai u ka kërkuar ndjesë gjithë atyre qytetarëve, që dje megjithëse ishte programuar një manifestim pa banderola dhe flamuj partiakë, panë një shfaqje jo të denjë për një opozitë evropiane.
Bashkimi, sipas kreut të Partisë Socialiste nuk është bashkimi i kryetarëve, por i qytetarëve dhe është shprehje e hapjes së një rruge të madhe.
Partia Socialiste, ka theksuar më tej ai, do të mbrojë interesat e Shqipërisë, duke i vënë mbi interesat partiake, do mbrojë interesat e qytetarëve, duke i vënë ato mbi interesat e politikanëve, të mbrojë jetën, dëshirat dhe ëndrrat e njerëzve, duke iu dhënë atyre një tjetër alternativë.
“Jemi për të imponuar në parlament një politikë të re, një ligj që ta clirojë prokurorinë nga kthetrat e politikës”- tha ai, duke shtuar se politika ka ndërhyrë në mënyrë të egër në punët e drejtësisë e ka lënë atë jo vetëm në hije, por një një trysni të madhe.