Protesta, e drejtë e PS-së të zgjedhë çdo ekstrem të sakrificës, por mazhoranca e fton për dialog
Deklaron kreu i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht Zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, u shpreh sot gjatë fjalës së mbajtur në Konventën e Lëvizjes Rinore për Integrim, se opozita ka të drejtën e saj të protestës me çfarë do lloj elementësh sakrifice, por mazhoranca nuk do të heqë dorë nga ftesa për dialog. “Natyrisht që është e drejta e tyre të zgjedhin këtë formë ekstreme të sakrificës për pretendimet që kanë, por kjo nuk më ndal dot mua që t’i ftoj edhe njëherë për dialog me mazhorancën dhe qeverinë për procesin e integrimit”, theksoi Meta.
Meta shtoi se opozita ka hyrë në një llogore të paqartë, në kufijtë e ekzistencës së saj, duke injoruar edhe bashkëpunimin në kuadër të integrimit të vendit.
“është koha për t’u bashkëpunuar dhe secili të tregojë me vepra dhe jo me fjalë që punon për integrimin e Shqipërisë”, tha më tej, kreu i LSI-së.
Meta ripërsëriti edhe njëherë se transparenca e zgjedhjeve do të bëhet sipas kushtetutës së vendit dhe se opozita duhet të kontribuojë në Kuvend për të ardhmen e vendit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, deklaroi më tej se në muajt që vijnë shqiptarët do të lëvizin pa viza në Bashkimin Europian.
Sipas tij, lëvizja e lirë e të rinjve do të jetë një realitet dhe se gjatë këtyre 8 muajve është bërë një punë e jashtëzakonshme.
Ai shtoi se së shpejti do të bëhet realitet edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duke theksuar se vendi ynë ka marrë vlerësime nga ndërkombëtarët për plotësimin e kërkesave. Gjithashtu Meta vuri në dukje se gjatë vizitës së tij në Bruksel mori vlerësime për arritjet e Shqipërisë.
Duke komentuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Rasmussen gjatë vizitës në Tiranë, Meta shtoi se të gjitha forcat politike duhet të angazhohen në mënyrë pozitive dhe kjo është e rëndësishme që çdo forcë të përmbush detyrat ndaj vendit dhe të ardhmes Europiane.