OSBE: Mision i gjerë vëzhguesish, 8 maji kyç për ngërçin politik
TIRANË- Me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, OSBE-ja do të sjellë në Tiranë misionin më të gjerë të mundshëm, për të vëzhguar zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen më 8 maj. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichamaut konfirmoi dje, pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, se OSBE-ja po punon për të zhvilluar zgjedhje vendore të lira dhe efektive.
“Për këtë qëllim, në janar ishte këtu një mision i Kryesisë së radhës së OSBE-së dhe ne po përgatisim një mision të gjerë vëzhguesish, të cilët do të ndjekin këto zgjedhje së bashku me vëzhguesit vendorë. Ne besojmë se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur përpara dhe se ajo do të vazhdojë të bëjë të gjitha ato hapa përpara, në mënyrë që t’i afrohet sa më shpejt objektivit të saj, për të qenë anëtare edhe më aktive e 56 vendeve anëtare të OSBE-së dhe e një familjeje më të gjerë, e BE-së dhe NATO-s. OSBE-ja qëndron pranë jush, në mënyrë që të ketë një të ardhme sa më të mirë për të gjithë shqiptarët”, - tha dje Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së. Duke iu referuar ODIHR-it, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichamaut, theksoi se zgjedhjet parlamentare të 2009-ës shënuan përparim. “Zyra e Institucioneve Demokratike dhe e të Drejtave të Njeriut (ODIHR) ishte e pranishme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe siç e thashë dhe sot paradite, ajo ka shprehur mendimin e vet se këto zgjedhje ishin gjerësisht në përputhje me angazhimet e Shqipërisë dhe se ato shënuan përparim në zbatimin e angazhimeve të saj”, - shtoi ai. Ndërsa në takimin me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ka theksuar se në Shqipëri duhet të rifillojë dialogu politik konstruktiv brenda institucioneve politike shqiptare dhe se zgjedhjet vendore të datës 8 maj mund të shërbejnë si një instrument kyç për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit aktual politik.
Hetimi i 21 janarit
Një tjetër mesazh i përcjellë qartë dje nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichamaut, jo vetëm në deklarimin e tij për mediat, por edhe në takimet e zhvilluara dje me Kryeministrin Berisha apo me Presidentin Topi ishte se Prokuroria e Përgjithshme duhet të bëjë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm për 21 janarin, por në të njëjtën kohë ajo duhet lënë e qetë që të punojë pa ndërhyrjet politike. “Më lejoni të them se ne mbështesim plotësisht Prokurorinë dhe hetimin e saj, i cili duhet të jetë i plotë, i paanshëm dhe gjithpërfshirës, duke mbuluar e duke nxjerrë në dritë të gjitha aspektet. Kjo duhet bërë pa asnjë ndërhyrje, në mënyrë efektive e të shpejtë”, - tha ai. Edhe në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, thuhet se “Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin, në lidhje me rëndësinë e një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe në kohë”. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së është pyetur dje edhe për deklaratat e zyrtarëve të lartë të PS-së, të cilët kanë shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit të deritanishëm të Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, lidhur me fazën parapërgatitore për zgjedhjet lokale. “Mendoj se Ambasadori këtu përfaqëson pikëpamjet politike të kryesisë Lituaneze të radhës të OSBE-së dhe ne e mbështesim atë. Frymëzimi i vetëm i këtyre qëndrimeve, në frymë dhe në germë, është respektimi i të drejtave të njeriut për çdo individ, nëpërmjet zbatimit të ligjit dhe të institucioneve kushtetuese demokratike. Asnjë frymëzim tjetër nuk ka në këto qëndrime”, - shtoi ai.