Shfrytëzimi i pyjeve, penalizime për ata që shkelin kriteret
Ministri i Mjedisit jep paralajmërimet për 250 kompanitë që kanë marrë lejen e shfrytëzimit, pjesa më e madhe e të cilave përdorin teknologji të vjetruara
Sëpata pa kriter mbi pyjet nuk po njeh të ndalur, çka ka bërë që shpyllëzimi të shndërrohet në problemin më kryesor për mjedisin. Ky problem është ngritur dhe pranuar edhe nga vetë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili deklaron se kompanitë që shfrytëzojnë lëndën drusore përdorin një teknologji të vjetëruar, por edhe jashtë kritereve që parashikohen në lejen 1-vjeçare që kanë për shfrytëzimin hapësirave pyjore. Kreu i Mjedisit shprehet se për kontrata të gjata koncesionare me kompanitë duhet që të plotësohen të gjitha detyrimet, në të kundërt ato do të marrin edhe ndëshkimin e duhur. “Kemi shumë kompani që shfrytëzojnë pyjet, mbi 250, që në shumë raste nuk kanë as teknologjinë, as standardet dhe as nivelin profesional të gjykimit të drejtë për shfrytëzimin e pyjeve. Ka ardhur koha që ndoshta ne duhet të shikojmë në një marrëdhënie më afatgjatë koncesionare, por sidomos me firma që duhet të kenë kritere të qarta të teknologjisë që përdorim. Padyshim edhe një mbështetje të qartë dhe një garanci të qartë financiare. Duhet patjetër që ato të garantojnë në sipërfaqe që i shfrytëzojnë të gjithë logjistikën e nevojshme për mbrojtjen e pyjeve karshi zjarreve”, - deklaron ministri Mediu. Në shfrytëzimin e pyjeve pa kriter ka ndikuar përdorimi i tyre në masë të madhe për dru zjarri, ndërkohë që vitet e fundit kërkimet për minerale kanë ndikuar negativisht në hapësirat pyjore. Duke analizuar situatën, ministri i Mjedisit bën të ditur se sasia e drurëve të prerë në vit, që shfrytëzohen për ngrohje, është 2 milionë metër kub. Për të risistemuar strategjitë e mbrojtjes së pyjeve, ministri i Mjedisit kërkon bashkëpunimin midis sektorëve publik dhe privat, mes qeverisë dhe bashkive kundër fenomenit të degradimit të pyjeve. Sipas ministrit të Mjedisit, komunat dhe bashkitë që janë pjesë e decentralizimit të sipërfaqeve pyjore duhet të mos neglizhojnë detyrimet që u ngarkohen. Aktualisht nga Ministria e Mjedisit drejt pushtetit vendor kanë kaluar për administrim rreth 66 mijë hektarë.