Protesta e minatorëve, snajperë për të mbrojtur Kryeministrinë
Përplasjet e protestuesve të minatorëve para Kryeministrisë me policinë kanë sjellë menjëherë reagimin e forcave të sigurisë, që kanë blinduar këtë institucion. Snajperë në tarracë dhe forca të shumta sigurie brenda mureve të Kryeministrisë ka qenë atmosfera brenda, teksa protestuesit përlesheshin me policinë në ambientet e jashtme. Forcat e sigurisë mendohet se i kanë paraprirë ndonjë incidenti të mundshëm, që mund të shkaktohej, kur është tentuar hyrja me forcë në Kryeministri. Pasi konsideruan se qeveria ka bërë veshin e shurdhër ndaj kërkesave të tyre, minatorët tentuan hyrjen me forcë në godinën e Kryeministrisë për t’u takuar me Kryeministrin Sali Berisha. Protestuesit u munduan të çajnë rrethimin e efektivëve blu, që ishin vendosur para godinës së Kryeministrisë, por hasën gardhin e tyre. Protesta kulmoi me përleshjen disa sekonda trup me trup mes protestuesve dhe punonjësve të rendit. Minatorët kërkuan miratimin e statusit të minatorit. Miratimi i statusit të minatorit, sipas përfaqësuesve të sindikatës, pritet të zgjidhë përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite punë, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja. Gjatë protestës, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, duke folur para minatorëve me një altoparlant ka bërë thirrje se është dita vendimtare kur minatorit do t’i plotësohen kërkesat. Xibri më pas ka kërkuar një takim me Kryeministrin Sali Berisha për të parashtruar kërkesat e tyre. Kreu i Sindikatës së Minatorëve ka akuzuar qeverinë se ka qëndruar indiferente ndaj kërkesave të tyre. “Kërkojmë me urgjencë miratimin e statusit të minatorit. Sali Berisha të mbledhë sot qeverinë dhe ta miratojë”, tha Xibri për mediat. Minatorët kanë kërkuar edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike. Në mbështetje të minatorëve ka dalë edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave. Ndërkaq, kanë nisur përforcimet me policë rreth godinës Kryeministrore. Institucioni është rrethuar me katër kordonë policie, ndërsa ushtarakë të armatosur janë vendosur edhe në tarracën e godinës së qeverisë. Mësohet se policia ka shoqëruar disa prej minatorëve.
#