Protesta e prodhuesve të duhanit, incident pranë Parlamentit

Para Parlamentit në Maqedoni në orët e pasdites është regjistruar një incident pasi prodhuesit e duhanit kanë tentuar që të çajnë kordonin policor dhe të futen drejt hyrjes së Parlamentit.
Mijëra protestues, prodhues të duhanit kanë vijuar të qëndrojnë para Parlamentit, ndërsa atyre i janë bashkëngjitur edhe punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, të cilët gjithashtu sot protestuan në Shkup.
Policia ka ndërhyrë për të mbajtur situatën në kontrollë dhe se para godinës së legjislativit janë shtuar masat e sigurisë. Një pjesë e demonstruesve kanë hedhur sende të forta dhe shishe në drejtim të policisë, duke lënduar një fotoreporter i gazetës ditore “Nova Makedonija”.
Veç situatës së tensionuar pas protestave, në Parlament po vijon seanca e tensionuar e shoqëruar me akuza dhe kritika midis pozitës dhe opozitës.
Partia në pushtet VMRO-DPMNE akuzoi prodhuesit e duhanit se janë të manipuluar nga partia opozitare LSDM, ku në drejtimin e protestave janë përmendur emra deputetësh dhe këshilltarësh komunal të opozitës.
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës kanë akuzuar se protestat janë qytetare dhe organizohen nga prodhuesit dhe punëtorët, të cilët kërkojnë plotësimin e kushteve të tyre dhe garancitë nga shteti.
Prodhuesit e duhanit kërkojnë që duhani i tyre të blihet me një çmim prej 192 denarësh nga kompanitë blerëse, të cilët paguajnë çmime më të lira.