Biblioteka Kombëtare, 1 mijë tituj për shkollat e Shkodrës
Biblioteka Kombëtare i vjen në ndihmë zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës. Janë 1 mijë tituj librash që u shkojnë 20 shkollave të dëmtuara. Dje, në një konferencë për shtyp, Drejtori i BK, Aurel Plasari njoftoi këtë nismë të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të ndërmarrë në rrethanat e një sensibilizimi. Sipas Plasarit bëhet fjalë për 1000 tituj, mes të cilëve ka letërsi, histori, informacion, botime të traditës, etj. Nuk bëhet fjalë për botime të fundit. Ka mes tyre nga ato që datojnë vitin 1970, 1980 e më vonë. Janë libra që i përkasin koleksionit rezervë të BK-së, libra të përdorur, apo të dhuruar nga autorët dhe botuesit. Sipas Plasarit, titujt janë zgjedhur në bashkëpunim me specialistët, duke marrë parasysh edhe destinacionin e tyre, në shkollat 9-vjeçare e të mesme. Më tej do të dërgohet një tjetër kontingjent librash, por kësaj here mbi bazën e nevojave që vetë shkollat do të paraqesin. Sipas Drejtorit të Bibliotekës së Shkodrës, “Marin Barleti”, Gjovalin çuni, kjo ndihmë do t’i shkojë 19-20 shkollave në Qarkun e Shkodrës, të cilat kanë pësuar dëmtime nga përmbytjet. Sipas tij, 4 prej këtyre shkollave ndodhen brenda në qytet. Sipas tij, ende nuk ka dalë saktësisht dëmi financiar që i është shkaktuar institucioneve shkollore.