Vasili: S’ka rrezik epidemie në Shkodër
“Nuk ka rrezik epidemia në zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës”. Këtë deklaroi dje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai tha se po merren të gjitha masat, që do të shmangnin çdo lloj pasojë për banorët e këtyre zonave. “Nuk kemi asnjë shfaqje që na bën të dyshojmë për epidemi, por kjo nuk na ka bërë për asnjë çast që ta mendojmë situatën me risk të ulur. E konsiderojmë me risk të shtuar. Kontrolli i ujit të pijshëm, masat dezifektuese, kufizimet e kontaktit me zonat që mund të jenë të infektuara, janë ndërhyrjet klasike”, tha ministri. Sipas tij, deri tani nuk janë identifikuar zona me problematikë të lartë. “Kemi konsideruar qarkun njëlloj me risk të shtuar, nuk jemi çliruar nga shqetësimi që duhet ta mbajmë kontrollin shumë të fortë”, tha Vasili. Ndërkohë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik u bëjnë apel qytetarëve që të mos konsumojnë ujë të pijshëm pa e zierë më parë atë.