E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytja, dy draga thellojnë Bunën

 Dy draga të fuqishme thellojnë grykën e Bunës. Pas shpërnguljes nga Vlora, ku bënë të mundur thellimin e bregdetit për Petroliferën, dy mjetet i janë drejtuar veriut të vendit. Sapo është ulur niveli i prurjeve, dragat kanë vepruar në shtratin e lumit Buna, duke pastruar në të mbi 6 mijë metra në ditë. Ky është ritmi i punimeve për thellimin e këtij lumi, koordinimi i të cilave i është besuar Kapitanerisë së Durrësit. Nisma për ta bërë lumin Buna jo vetëm të sigurt nga përmbytjet, por edhe të lundrueshëm për turizmin e jahteve dhe peshkimin ka nisur të zbatohet. E thënë ndryshe, lumi më i shkurtër në Shqipëri, nga burim fatkeqësish do të shndërrohet në një rezervë për industrinë e turizmit, të peshkimit dhe të vaditjes së tokave bujqësore. Mësohet se deri tani është zhvendosur një sasi prej më shumë se 70 mijë metrash kub baltë. Në hyrje të deltës së të vetmit lum të lundrueshëm në Shqipëri kanë nisur operacionin e gërmim-pastrimit dy draga të një firme private nga Vlora. Këto mjete janë porositur nga autoritetet shqiptare dhe kanë veçori të ndryshme, pasi njëra gërmon duke thelluar, ndërsa tjera përmes tubacioneve e zbraz në anë të argjinaturave llumin e gjendur në fund të shtratit të lumit. Aty dragat kanë hapur deri më tani afro 11 metra gjerësi në kanalin e Vilunit. Ky operacion i madh i urdhëruar nga Qeveria shqiptare, po menaxhohet në terren nga institucioni i Kapitanerisë së Përgjithshme me qendër në Durrës. Kapitaneria njofton se ka koordinuar dërgimin e dy dragave për thellimin e grykëderdhjes së lumit Buna gjë që ndikon në rrjedhjen më të shpejtë të ujërave. Deri tani, në grykëderdhjen e Vilunit është krijuar një thellësi prej 4,5 metrash si dhe gjerësi 11 metra. Ky aksion po ndërmerret paralelisht me ato të forcave të ushtrisë për riparimin e argjinaturave përgjatë fshatrave dhe komunave që u përmbytën pas katastrofës së 2 janarit. Pas më shumë se 2 javësh, situata dje dukej se po shkonte drejt normalizimit të plotë. Aktualisht në të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave qarkullimi kryhet normalisht nga të gjitha llojet e automjeteve, duke përfshirë këtu edhe aksin rrugor Velipojë–Shkodër. Problemi kryesor për shtabin e emergjencave është gjendja pas përmbytjes. Një ekip i Ministrisë së Mjedisit, me ekspertët përkatës po inspekton zonën e prekur nga përmbytja për të ndërhyrë më vonë për higjienizimin e tyre zonave dhe kthimin në normalitet. Mësohet se në shumë fshatra, por dhe lagjet e qytetit, si Livadhet e Ajasëm, banorët kanë bërë ndërtime të reja, por jo të sistemuara me rrjet kanalizimesh. çka e ka bën të detyrueshme pastrimin dhe dezinfektimin e zonave, për të shmangur pasojat për shëndetin e banorëve. o.u/r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›