E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e ultrasve të Lacios: Tare në fushë!

• “Duam njerëz si Tare, që japin shpirtin në fushë”. Kjo ka qenë thirrja e 200 tifozëve të Lacios gjatë ditës së hënë kur skuadra është paraqitur në kompleksin stërvitor të Formelos.Jetmir Halilaj  Një grup ultrasish të skuadrës bardhekaltër të nervozuar nga humbja 1-0 kundër Kaljarit javën e kaluar, kanë vendosur të protestojnë, duke kritikuar ashpër zgjedhjet e trajnerit Delio Rosi, por edhe politikat e ndjekura nga krerët e klubit roman. Fillimisht tifozët e skuadrës së Lacios janë kapur me Maurin, duke e kritikuar se bënte shumë jetë nate dhe se nuk impenjohej sa duhej gjatë kohës që ishte në fushë. Më pas kanë vijuar me Tomazo Rokin, të cilin e kanë quajtur mercenar. “Më parë vrapoje në fushë si i çmendur, sepse të duheshin paratë, tani që arrite të sigurosh një kontratë të mirë, nuk luan më. Je një mercenar i vërtetë”, ishin thirrjet që i adresoheshin sulmuesit të Lacios. Sikur të mos mjaftonte gjithë ajo që ndodhi para se të fillonte stërvitja, ka qenë vetë Roki, ai që i ka hedhur benzinë zjarrit. Pas stërvitjes ai ka shfryrë kundër tifozëve, duke thënë se nëse ata kanë ndërmend që ta kontestojnë, këtë mund ta bëjnë sa herë të kenë dëshirë, por ai nuk do ta vrasë mendjen shumë për këtë gjë. Kjo i ka irrituar tej mase ultrasit e Lacios, të cilët përveçse kanë fyer lojtarin duke e quajtur të padenjë për skuadrën e tyre nuk kanë kursyer në adresë të tij edhe gjuajtjet me vezë. “Nuk i duam këta njerëz te Lacio. Duam njerëz si Tare që japin shpirtin në fushë. Duam njerëz që janë profesionistë dhe jo mercenarë”, ishin thirrjet në kor që ultrasit i drejtuan trajnerit Delio Rosi. Ky i fundit ka qenë gjithashtu, një ndër më të kritikuarit, pasi ai cilësohet si shkaktari kryesor i krizës në të cilën ndodhet Lacio. “Firmani futu vetë në fushë dhe mos pyet atë debilin (duke iu referuar Rosit), që vazhdon të të trajtojë si mos më keq”, bërtisnin tifozët që kishin rrethuar qendrën stërvitore. Sipas të përditshmes italiane “Il Tempo” skuadra bardhekaltër po kalon një nga momentet e saj më kritike që nga koha që drejtimin e këtij klubi e ka marrë Klaudio Lotito. Nëse bardhekaltërit nuk fitojnë në ndeshjen e sotme kundër Rexhinës, atëherë rrezikohet seriozisht posti i trajnerit Delio Rosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›