E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën

• Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se, Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën dhe nuk bëhet fjalë që territori i ish- provincës serbe të ndahet në vija etnike.Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, tha se ndarjen e Kosovës nuk do ta pranojë as Evropa dhe as NATO. Komentet e tij erdhën pas një forumi të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington. Bërns theksoi se, Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën dhe e humbi atë në periudhën mars-qershor 1999, kur ajo u përpoq të dëbojë 1 milion njerëz nga ai vend. “Kur u miratua rezoluta 1244 në qershor 1999, u mundësua që Kombet e Bashkuara t’ia merrnin Kosovën Serbisë. Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën. Që nga qershori 1999 e deri kohët e fundit, pyetja e vetme që është shtruar ka qenë: Cili do të ishte statusi përfundimtar i Kosovës, do të ishte ajo e pavarur apo autonome dhe kur do të ndodhte kjo. U deshën 9 vjet që kjo pyetje të merrte përgjigje dhe rreth një vit më parë Shtetet e Bashkuara erdhën në përfundimin thelbësor se nëse e vononim ende pavarësinë e Kosovës, atëherë mundësia më e madhe do të ishte që kjo të provokonte dhunë dhe mungesë qëndrueshmërie në Ballkan”, tha Bërns duke shtuar se, pavarësia ka qenë alternativa e qartë dhe përfundimtare qysh vitin e kaluar kur Presidenti Marti Ahtisari bëri propozimin e tij. Nënsekretari amerikan vlerësoi vetëpërmbajtjen e udhëheqjes në Prishtinë. “Ne kemi parë në Prishtinë një udhëheqje të jashtëzakonshme e cila u rezistoi një mijë provokimeve, me të cilat u përball. Ata e mbrojtën popullsinë serbe, kishat dhe trashëgiminë e tyre. Ata nuk e kaluan lumin Ibër për të shkuar në veri të Mitrovicës ashtu siç dëshironin serbët e Beogradit dhe të Kosovës”, u shpreh numri tre i Politikës së Jashtme amerikane. Njëkohësisht Bërns kritikoi ashpër Beogradin për retorikën sharëse që, “të kujton një epokë tjetër në Serbi”. “Të enjten e kaluar ne pamë një sulm huliganësh kundër ambasadës sonë në Beograd. Pamë policinë që të zhdukej dhe situata e krijuar ishte e tmerrshme sepse disa diplomatë amerikanë mbetën të bllokuar në ambasadë për disa orë me radhë dhe ne nuk e dinim se cili do të ishte fati i tyre. M’u desh të merrja në telefon kryeministrin e Serbisë të cilit i thashë: hape televizorin te CNN-i dhe shiko se ç’po ndodh me ambasadën tonë! Duhet të dërgosh forcat e policisë atje! Dhe më në fund ata e bënë këtë”. Serbët duhet të kuptojnë se ata duhet të shikojnë nga e ardhmja, duhet të kuptojnë se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të kenë marrëdhënie tregtare dhe politike me ta, duan që ata të jenë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, shtoi nënsekretari i shtetit, Bërns. Ai theksoi se, “Mund t’ju them se ne nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës. As Kombet e Bashkuara, as Bashkimi Evropian dhe as NATO nuk do ta pranojnë atë. Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në kufijtë e tanishëm dhe këtë njohim ne. Nëse serbët e Kosovës apo serbët në Beograd mendojnë se ata mund ta ndajnë Kosovën, ata e kanë gabim”. Sa për Rusinë: “Ishim ne ata që qëndruam në Kosovë gjatë 9 viteve të fundit me trupat dhe me paratë tona e të Evropës, ndërsa Rusia u largua para katër vjetësh. Me kërkesën e Rusisë ne e shtymë njohjen e Kosovës për pothuajse një vit dhe ne morëm vendim logjik për të njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu si edhe 30 vende të tjera në Evropë, si dhe shumë vende në botën myslimane. Mendoj se Rusia është mjaft e izoluar”, u shpreh Bërns. Nënsekretari amerikan kërkoi nga Serbia që të bashkëpunojë me autoritetet kosovare dhe anasjelltas dhe u bëri thirrje kosovarëve të mos i përgjigjen provokimeve përtej lumit Ibër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›