Grinden për djalin, godet ish-bashkëshorten me thikë
Krimi në familje për pak i ka marrë jetën një gruaje 41-vjeçare. Agresori është ish-bashkëshorti i saj, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor, ndërsa e lënduara, pasi ka marrë trajtim mjekësor, është kthyer në banesë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të së martës, ndërkohë që policia ka nisur procedimin penal për 42-vjeçarin L.Binjaku, lindur e banues në lagjen "Vullnetari" të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se 42-vjeçari L.Binjaku, mbrëmjen e së martës ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes të tij me inicialet S.SH., dhe janë grindur, pasi ajo e pengonte të takonte të birin. Në gjaknxehtësi e sipër, 42-vjeçari e ka goditur me thikë 41-vjeçaren dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Tashmë ai është shpallur në kërkim policor nga ana e bluve të Elbasanit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se konflikti mes tyre kish nisur për motive xhelozie dhe për më tepër që Binjaku nuk ishte lejuar të takonte djalin e tij nga ana e ish-bashkëshortes. Sipas policisë, po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen e shkaqeve të sakta të këtij konflikti, pas ndarjes së këtij çifti. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale "plagosje e lehtë me dashje". Ndërkohë, mësohet nga burime spitalore se 41-vjeçarja ka marrë plagë të lehta dhe pas mjekimit është kthyer tek i biri në banesë.
Be.Dy.
Be.Dy.