E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta mbarëpopullore në mbrojtje të USHT-së

Tetovë - Parlamenti studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), skajshmërisht i indinjuar nga veprimet e vazhdueshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilat cenojnë drejtpërsëdrejti autonominë dhe integritetin e USHT-së dhe studentëve, fton të gjithë studentët, maturantët, profesorët, qytetarët, shoqatat joqeveritare, dhe të gjithë faktorët relevantë në vend në një protestën mbarëpopullore.

Protesta me të cilën studentët pretendojnë të vihen në mbrojtje të autonomisë së USHT-së, do të mbahet ditën e enjte, më 21 maj 2009. Organizatorët e protestës, në konferencën e së hënës, kanë bërë të ditur se marshimi do të nisë nga Rektorati i USHT-së (në orën 12) prej ku shkohet në sheshin e qendrës së Tetovës.

Sipas studentëve, “vija e kuqe deri ku mund të durohet diskriminimi dhe cenimi i autonomisë së Universitetit definitivisht është tejkaluar”. Nëse cenohet USHT cenohet ardhmëria, cenohen vlerat demokratike, por cenohen edhe vetë parimet e Marrëveshjes së Ohrit.

Në mbështetje të kësaj, sjellin si argument financimin vetëm 10 për qind të USHT-së nga buxheti i përgjithshëm i universitete. 67 për qind të mjeteve për vitin 2009 USHT-ja i siguron prej burimeve të veta, kurse vetëm 33 për qind nga buxheti i shteti.

“Sikur të ishim universitet privat e jo shtetëror”, thonë ato. Rastësisht ose jo, konferenca e Parlamentit studentor të USHT-së u mbajt të njëjtën kohë, kur në Parlamentin e Maqedonisë u hap diskutimi për raportin financiar të punës së USHT-së të Entit Shtetëror të Revizionit. Studentët, thanë se USHT-së i bëhet trysni e vazhdueshme përmes inspektimeve të njëpasnjëshme, që sipas tyre e pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor -shkencor.

“USHT-së i mbyllet Poliklinika, nuk i lejohet hapja e asnjë vendi të punës për këtë vit, nuk i është lëshuar asnjë denarë për përfundimin e objektit të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, i refuzohen kërkesat për ndërtimin e Konviktit dhe Bibliotekës, i disperzohen fakultete pa u pyetur”, thanë studentët.

Duke vërejtur “këtë trajtim nënçmues” studentët thonë se nuk mund të rijnë indiferent. 80 për qind e studentëve për nga përkatësia etnike janë shqiptarë, dhe 20 për qind maqedonas, turq, romë e të tjerë. Shqiptarët përbëjnë popullsinë e dytë shumicë në Maqedoni, ku vetëm USHT-ja është universitet publik në gjuhën shqipe, kurse në gjuhën maqedonase më atë të Ohrit, që prej shtatorit do të nisën punë si universitet publik bëhen katër sosh. Studentët e USHT-së, kërkojnë trajtim të barabartë.

Nuk mund të tolerojmë që Universitetit të Shtipit, me vetëm 2 500 studentë, Qeveria t’i ndajë 100 milionë denarë mjete më shumë se USHT-së, thanë ato, kurse zërin e protestës paralajmërojnë ta ngjisin në nivelin e një tubim mbarëpopullor.

Revizioni konstaton parregullsi në USHT

264 studentë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të cilët nuk kishin sigurim shëndetësor, kishin paguar nga një mijë e 500 denarë për kontrollin sistematik pas vërejtjeve të kësaj natyre që USHT-së iu dhanë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, e njëjta është konstatuar edhe nga revizorët financiar.

“Është konstatuar se kontrolli sistematik i studentëve filloi të bëhet prej datës 3 mars 2009. Nga dita e inspektimit kontrolle të këtilla u janë bërë 1 834 studentëve, prej të cilëve 264 kanë paguar nga një mijë e 500 denarë, për shkak se nuk kishin sigurim shëndetësor”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizioni (ESHR) që të hënë ka hyrë ën fazën e debatit parlamentar. Informata e ESHR-së, paraqet gjendjen e USHT-së pas inspektimit të bërë, deri në datën 8 prill të këtij viti.

Kjo, sikurse thuhet në raport, është konstatuar se kjo është në kundërshtim me programin e Qeverisë, me të cilin lirohen nga pagesa studenteve dhe nxënësit që nuk kanë sigurim shëndetësor. Kjo shkelje nga ana e poliklinikës së USHT-së ishte konstatuar muajin e kaluar edhe nga Inspektorati Shëndetësor, i cili edhe “i vuri drynin” Poliklinikës. “Paratë ua kemi kthyer studentëve dhe për këtë kemi njoftuar edhe Inspektoratin” pat thënë rektori Agim Vela, pak ditë më parë në intervistën për “Lajm”.

/Laura Prapaniku/LAJMI/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›