E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i tatimeve, “dinamit” ndaj biznesit

• Nikollaq Neranxi

Të ashtuquajturat reforma që ka marrë dhe po merr Qeveria në fushën e sistemit fiskal, i është kundërvënë dhe po i kundërvihet biznesit të ligjshëm, duke e detyruar atë që të paguajë detyrime apo gjoba të kundërligjshme, me qëllim që të mbushin arkën e buxhetit të shtetit. Qeveria duket se e ka kthyer dhe po e përdor administratën tatimore dhe doganore me qëllime të mbrapshta për të penguar veprimtarinë normale të atyre bizneseve, pronarët apo administratorët e të cilëve nuk janë anëtarë apo simpatizantë të partive të koalicionit qeverisës. Duke u treguar më e zellshme se duhet, kjo administratë po sillet në mënyrë harbute me biznesin, duke u kërkuar atyre të paguajnë detyrime apo gjoba që janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe duke i detyruar ata të shpallin falimentimin.
Me logjikën e kundërvënies së qeverisë ndaj biznesit është përshkruar edhe projektligji i ri që ka përgatitur Qeveria “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i cili është dërguar Kuvendit nga qeveria, për shqyrtim dhe miratim.
Ky projektligj, i ashtuquajtur i ri, i cili është përgatitur në kuadrin e reformës në fushën e procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë, bën një hap përpara në vendosjen e shtetit ligjor dhe demokratik, në marrëdhëniet e organeve tatimore me biznesin. Ky projektligj karakterizohet nga arbitrariteti i Qeverisë ndaj biznesit, duke u dhënë të drejtën organeve tatimore dhe doganave të bllokojnë dhe sekuestrojnë pasuritë e bizneseve debitorë ndaj shtetit, duke anashkaluar gjykatën.
Në kushtet e ndryshimeve të fundit në legjislacionin fiskal, të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e të drejtës së biznesit për t’u ankuar në gjykatë pa paguar detyrimin tatimor së bashku me 15% të gjobës së vendosur nga organet tatimore, kanë të bëjnë me pagat referuese dhe normat e fitimit për biznesin, si dhe boshllëku institucional nga mungesa e Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi, janë me pasoja të rënda në përkeqësimin e rrymës së bashkëpunimit shtet–biznes, aq të domosdoshëm për mbarëvajtjen e ekonomisë. Me këtë projektligj rriten jashtëzakonisht të drejtat e organeve fiskale në raport me biznesin deri në marrjen në kundërshtim me çdo përvojë të vendeve demokratike, të atributeve të plota të pushtetit gjyqësor. Disa prej këtyre atributeve janë bllokimi i llogarive bankare; bllokimi i pasurive; sekuestrimi i pasurive dhe shitja e pasurisë tatimpaguesve, si dhe kalimin i detyrimeve për llogari personale të aksionarëve dhe administratorëve.
Institucioneve tatimore u jepet e drejta e përbormit pa kufizim dhe në mënyrë subjektive metodat alternative për llogaritjen e detyrimeve tatimore, duke lënë të papërcaktuar se kur duhen të përdoren këto metoda. Një e drejtë e tillë dhe e pa kufizuar, që iu jepet me ligj organeve tatimore, lë shkas për subjektivizëm dhe korrupsion në vendosjen e gjobave ndaj biznesit. E drejta e ankimit të biznesit në gjykatë është praktikisht e kufizuar për shkak të pamundësisë për t’u ankuar në gjykatë pa paguar detyrimin tatimor dhe 15% të gjobës. Biznesi, sipas këtij projektligji, mund të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, i cili është një institucion në konflikt të qartë interesi me biznesin dhe që merr plotësisht të drejtat e gjykatës. Askush nuk mund t’i japë zgjidhje këtij problemi, në qoftë se biznesi i gjobitur pa të drejtë nuk do të ketë mundësi financiare të paguajë detyrimin e supozuar ndaj organeve tatimore, për të marrë të drejtën e ankimit në gjykatë. Në një rast të tillë biznesi i nënshtrohet sekuestrimit dhe mbylljes së veprimtarisë, sepse askush nuk është në gjendje të provojë me paanësi pretendimet e organeve tatimore ndaj detyrimeve të biznesit.
Me shumë të drejtë përfaqësuesit e shoqatave të biznesit dhe të dhomave të tregtisë e kanë kundërshtuar këtë projektligj dhe kanë kërkuar ndryshimin e shumë neneve të rëndësishëm të tij. Ndaj grupet e biznesit, dhomat e tregtisë duhet të përkrahin dhe të mbështesin interesat e biznesit, pasi këto janë forca kryesore e këtij sistemi, dhe pa biznes dhe sipërmarrje private nuk mund të ndërtosh një shtet, ç’ka do të thotë që ndërtohen shtete pa themele, të cilat janë të destinuara të rrënohen shpejt. Gjithashtu qeveria duhet ta përmirësojë këtë projektligj “Dinamit” ndaj biznesit, pasi ai do të jetë me kosto shumë të madhe për pushtetin dhe pasoja të rënda për ekonominë e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›