Protesta ne Hong Kong ne prag te 23 vjetorit te viktimave te Tiananmenit
Më shumë se 1 mijë protestues kanë vërshuar në rrugët e Hong Kong-ut duke kërkuar demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut në Kinë. Marshimi vjen pikërisht dy javë para 23 vjetorit, në 4 qershor, të protestës në sheshin Tiananmen në vitin 1989. Protestuesit kanë kërkuar që Kina të lirojë disidentët dhe të dëmshpërblejë familjarët e viktimave të protestës së përgjakshme të Tiananmenit ku trupat ushtarake pastruan rrugën drejt qendrës së Pekinit duke qëlluar dhe varrë me qindra protestues. Këtë vit marshimi ka qenë dhe më domethënës sipas organizatorëve të tij për shkak të rastit të disidentit të verbër i cili u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por 4 qershori nuk është një datë e shënuar në kalendar dhe mbetet ende një temë tabu për partinë komuniste në pushtet. Por analistët kinezë mendojnë se dhe kur pushtetin ta marrin në dorë udhëheqës të rinj, shumë pak gjëra do të ndryshojnë sepse ata fillimisht do të jenë të përqendruar në krijimin e pasurive të tyre personale. Edhe pse disa nga protestuesit ishin të rinj në moshë dhe nuk kishin qenë në protestën e vitit 1989, ata u shprehën se është e rëndësishme që në Hong Kong të ekzistojë e drejta për të protestuar. Hong Kong një ish koloni britanike iu dorëzua Kinës në vitin 1997 me premtimin se do të kishte një autonomi të theksuar. Ndërkohë që me dhjetëra mijëra njerëz priten të marrin pjesë në marshimin e përvitshëm në 4 qershor ku do të përkujtohen viktimat e Tiananmenit.