E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Iran, policia vret 4 protestues opozitarë

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran, janë regjistruar përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve të opozitës që janë mbledhur në qendër të qytetit. Faqet e internetit të opozitës në Iran raportojnë se forcat e sigurisë kanë hapur zjarr gjatë demonstratave antiqeveritare në Teheran, ndërsa njoftohet se të paktën 4 persona janë vrarë.
Më herët, dëshmitarët thanë se policia dhe forcat e sigurisë përdorën shufra dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestuesit, të cilët ishin nisur drejt qendrës së Teheranit.
Sipas të tjera raportimeve, mësohet se disa protestues brohoritnin kundër milicisë qeveritare, e cila luan rol kryesor në shtypjen e protestave. Protestat e orëve të fundit në Teheran vijnë në ditën e kulminimit të festës shiite të Ashuras, e cila përkujton nipin e vrarë të Profetit Muhamed. Gjithashtu këtë të dielë, mbushen shtatë ditë nga vdekja e Ajatollahut të Madh, Hosein Ali Montazeri, i cili ishte kritik kryesor i regjimit aktual. Partitë iranianë të opozitës kishin bërë thirrje për të protestuar në mbarë vendin për të shënuar Ashurën, një prej ditëve më të rëndësishme në kalendarin fetar të shiitëve myslimanë. Faqet e internetit të opozitës thonë se forcat e sigurisë në Teheran përdorën gazin lotsjellës dhe bllokuan disa rrugë për të mos i lejuar njerëzit që t'i bashkohen protestës. Burime mediatike njoftojnë së Ashura është një ditë kuptimplotë për shiitët: ditë në të cilën nderohet beteja kundër shtypjes. Në këtë ditë, iranianët tradicionalisht dalin nëpër rrugë në mënyrë masive për të marrë pjesë në ceremonitë e ndryshme që zhvillohen në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›