E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uzbekët votuan për parlamentin e ri

Uzbekistani votoi sot në zgjedhjet parlamentare të menaxhuara nga shteti, zgjedhje këto të cilat janë cilësuar si të padobishme nga votuesit në ketë shtet, i cili është shumë i rëndësishëm për përpjekjet e Perëndimit për të frenuar talebanët në Afganistanin fqinj.

Uzbekistani deri me tani asnjëherë nuk ka zhvilluar zgjedhje, të cilat janë vlerësuar si të lira dhe korrekte nga vëzhguesit perëndimor.

Këto zgjedhje pritet që t’ia sigurojnë të gjitha ulëset në dhomën e poshtme të parlamentit aleatëve të presidentit Islam Karimov, i cili ka tashmë dy dekada që gjendet në pushtet.

Në Uzbekistan nuk ka parti opozitare, ndërsa pjesa më e madhe e aktivistëve pro-demokracisë ose janë burgosur, ose gjenden në ekzil.

“Nuk ka kurrfarë kuptimi. Këto zgjedhje janë të padobishme”, theksoi një banor i kryeqytetit Tashkent.

Një mashkull tjetër i ri tha:”Njerëzit vërtetë nuk çajnë kokën. Këto nuk janë zgjedhje”.
Përkundër apatisë gjithëpërfshirëse, pjesëmarrja zyrtare në zgjedhje me gjasë do të jetë e lartë, pasi që në Uzbekistan votimi është i detyrueshëm nëpër lagje dhe kompani.

SHBA-ja në vitin 2005 ka ndërprerë lidhjet me Tashkentin, pasi që dënoi aksionin e forcave uzbeke të sigurisë, të cilat kishin hapur zjarr kundër protestuesve në qytetin Andizhan, duke vrarë me qindra njerëz.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›