E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxehet situata në Turqi

Tetë ushtarë janë marrë në pyetje, në lidhje me komplotin e dyshuar kundër zëvendëskryeministrit të Turqisë, ka njoftuar ushtria turke.

Këta tetë ushtarë po mbahen në një kazermë të ushtrisë në Ankara, pasi që paraprakisht janë marrë në pyetje nga prokurorët civilë.

Dy ushtarë janë arrestuar në Ankara, në afërsi të shtëpisë së zëvendëskryeministrit, Bulent Arinc, por ata janë liruar pak kohë më pas. Disa medie kanë raportuar se ata kanë qenë të përfshirë në komplotin për të vrarë Arincin.

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyob Erdogan, gjatë fundjavës është takuar me shefin e forcave të armatosura të Turqisë, gjeneralin Ilker Basbug, takim ky i paparalajmëruar, i cili ka zgjatur tri orë.

“Kryeministri është informuar për zhvillimet në fushën e sigurisë së brendshme dhe të jashtme”, u theksua në kumtesën e qeverisë.

Ushtria ka mohuar se është pjesë e komplotit kundër Arincit dhe theksoi se dy ushtarët e arrestuar kanë qenë duke zhvilluar hetime në lidhje me një informant në radhët e ushtrisë, i cili i ka përcjellë informata të fshehta civilëve.

Ushtarët u arrestuan vetëm disa ditë pasi që Basbug tërhoqi vërejtjen për fushatën e re psikologjike, e cila ka për qëllim njollosjen e ushtrisë dhe shprehu brengën për konfrontimin e mundshëm mes institucioneve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›