E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta ne Izrael

Dhjetra mijëra izraelitë dolën nëpër rrugë në qytetet e Izraelit duke protestuar kundër  standarteve të ulëta të jetesës. Tubimet pasuan  protestën e një jave më parë në Tel Aviv, kryeqytetin ekonomik të Izraelit, ku  mbi 250.000 demonstrues bënë thirrje për reforma ekonomike.

Ky ka qenë tubimi më i madh për çështje socio-ekonomike  i mbajtur  ndonjëherë në vendin me 7.7 milion banorë.

Demonstrata të një shkalle të tillë në Izrael, janë mbajtur  zakonisht për  çështje lufte dhe paqeje, por tani protestat janë shtrirë nga Haifa dhe Afula në veri të vendit, në qytetin turistik të Eilatit në jug.

Zëdhënës të policisë thonë se numri i protestuesve në mbarë vendin ishte rreth 50 mijë  nga të cilët  25.000 u mblodhën vetëm  në qytetin port Haifa. Mediat izraelite thonë se numri i tyre ishte 73.000.

Para një muaji studentët ngritën tendat në bulevardin Rothschild në Tel Aviv për të  kundërshtuar çmimin e lartë të banesave e që atëherë, protestat kanë katapultuar ekonominë në  axhendën politike të dominuar gjatë nga çështjet e sigurisë, duke ushtruar  presion mbi kryeministrin, Beniamin Netanjahu.

Javën e kaluar Netanyahu formoi një panel ekspertësh, me 14-anëtarë, të udhëhequr nga ekonomisti i njohur Manuel Trajtenberg, të ngarkuar me dhënien e propozimeve për ndryshime e reforma.
 
Kërkesat e paraqitura nga Sindikata Kombëtare e Studentëve të Izraelit bëjnë  thirrje për një zgjerim të aksesit në arsimim  dhe strehim më të lirë të subvencionuar nga qeveria.

Izraeli ka një  rritje me  4,8 për qind për këtë vit në një kohë kur rritja është tejet e ulët në shumë vende perëndimore, dhe ka një nivel papunësie në një prag  relativisht të ulët prej 5,7 për qind.  

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›