E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Maqedoni, SHBA: Të jenë paqësore

Nga protesta e shqiptareve ne Maqedoni / Foto INA

 Ambasada Amerikane në Shkup, përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë dje, ka kërkuar që protestat e fundjavës në Maqedoni të zhvillohen në mënyrë paqësore.

“Jemi të informuar që ka pasur thirrje për demonstrata në tërë vendin gjatë ditës së nesërme dhe të shtunën në lidhje me vrasjen e pesë personave muajin e kaluar në afërsi të fshatit Smillkovc.

Derisa e drejta për tu grumbulluar dhe për të shprehur mendimin në mënyrë të qetë duhet respektuar, ne edhe më tej ftojmë qytetarët që të shprehin mendimin e tyre në mënyrë paqësore, të qetë si dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor për këtë çështje në pajtim me ligjet dhe procedurat ligjore të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve.

Sot dhe nesër, protesta dhe kundërprotesta 

Në Maqedoni  janë paralajmëruar për sot protesta të vetëorganizuara nga shqiptarët dhe maqedonasit, në mënyrë të ndarë.

Protestat janë organizuar përmes rrjeteve sociale, ku siç paralajmërohet, të premten do të mbahen protesta të shqiptarëve në të gjitha qytetet e Maqedonisë veriperëndimore me moton Stop rasteve të montuara.

Protestat që thirren përmes njoftimeve sidomos nga Facebook-u, tashmë kanë marrë jehonën e tyre dhe janë publikuar edhe oraret e mbajtjes së tyre në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strugë, Dibër, Kërçovë etj.

Ndërkohë, thirrje për protesta janë bërë edhe nga rrjete sociale maqedonase. Në një nga thirrjet që ka marrë mbështetje masive është ajo e një grupi të ashtuquajtur Protesta para qeverisë, ku thirren qytetarët për të protestuar të shtunën para qeverisë.

Sipas mesazheve të shpërndara, ky organizim do të jetë në formën e kundërprotestës kundër shqiptarëve. Në këtë profil interneti virutal nuk kanë munguar fyerjet e rënda antishqiptare dhe antifetare.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, deklaroi se po ndiqen të gjitha porositë në internet lidhur me organizimin e protestave të paralajmëruara.

MPB po ndjek këto porosi dhe gjuha që përdoret në ato portale është e pahijshme. Si institucione përgjegjëse do të ndërmarrin të gjitha masat për të mbrojtur sundimin e së drejtës. Do të reagojmë ndaj çdokujt që do të shkelë rendin dhe ligjin, ka theksuar ministrja Jankullovska pak ditë më parë. Protestat deri tani nuk janë mbështetur nga asnjë parti politike.  / INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›