Protesta në Orikum për pronat, përplasje mes policisë dhe banorëveNga TemaProtesta e banorëve të Orikumit, të cilët kërkojnë një sipërfaqe toke të ish-ndërmarrjes bujqësore, ka degjeneruar dje në përplasje fizike mes tyre dhe oficerëve të policisë. F
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Protesta në Orikum për pronat, përplasje mes policisë dhe banorëveNga TemaProtesta e banorëve të Orikumit, të cilët kërkojnë një sipërfaqe toke të ish-ndërmarrjes bujqësore, ka degjeneruar dje në përplasje fizike mes tyre dhe oficerëve të policisë. Fillimisht kanë qenë oficerët e policisë që kanë qenë në vendin ku zhvillohej protesta, që kanë qëlluar mbi disa protestues. Kaq ka mjaftuar që situata të acarohej më tej dhe banorët e Orikumit që kanë qenë në protestë kanë marrë gurë dhe kanë qëlluar mbi furgonin e policisë dhe mbi vetë punonjësit e policisë. Protestuesit nuk kanë lejuar pronarët e tokës të vazhdojnë punimet për ngritjen e një objekti, duke detyruar mbërritjen e policisë, e cila ka hasur në rezistencën e banorëve. Turma ka shkatërruar me gurë dhe shkelma rrethimin e tokës ku kanë nisur punimet për ndërtimin e një objekti. Duke parë që situata po rëndohej, oficerët e policisë janë larguar nga vendi ky zhvillohej protesta. Ndërkohë, mësohet se këta të fundit kanë shoqëruar në komisariat disa prej protestuesve. Banorët e Orikumit kërkojnë pronësinë e mbi 450 hektarë tokë të ish-ndërmarrjes bujqësore, që sipas tyre u takon në bazë të Ligjit 7501 dhe mbi të cilën disa subjekte private janë duke ndërtuar disa pallate. Për këtë arsye, banorët e kësaj zone prej disa ditësh kanë filluar protestat, të cilat dy ditët e fundit janë përshkallëzuar. Protestuesit kanë bllokuar punimet që janë duke u kryer në këtë zonë dhe kanë akuzuar personat që po ndërtojnë si zaptues së tokës së tyre. Pretendimi i tyre, sipas policisë, është i pabazë, pasi toka i takon pronarëve të vjetër dhe këta të fundit kanë të drejtën për të bërë çfarë të duan me të. Ndryshe mendojnë banorët e Orikumit, të cilët shprehen se janë të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e objekteve në këtë zonë, pasi, sipas tyre, toka iu përket me ligj dhe nuk do të heqin dorë prej saj.
Tahiri: Konflikti në Orikum nuk u krijua nga qytetarët, por nga pushteti i korruptuar
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, tha dje se ngjarja e rëndë në Orikum tregon qartë se problemi i pronësisë vazhdon të jetë peng i korrupsionit. Tahiri tha se “Berisha duhet të japë llogari për katandisjen e pronës në plaçkë lufte të pushtetit, për nxitjen e mëtejshme në Shqipëri të konfliktit për pronën mes njerëzve të pafajshëm dhe për vetë konfliktin mes institucioneve që nuk veprojnë në bazë të ligjit, por në bazë të urdhrave e orekseve të pushtetit”.
“Në Orikum të Vlorës ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Qytetarë të përfshirë në një konflikt fizik. Banorë që godasin me gurë forcat e policisë. Forca policie që arrestojnë banorë. E gjithë kjo, për një konflikt pronësie. Një konflikt pronësie i krijuar jo nga qytetarët, por nga një pushtet i ngritur mbi korrupsionin, që e ka thelluar, në vend që të zgjidhë problemin e rëndë të pronës në Shqipëri. Ngjarja që ka ndodhur në Orikum të Vlorës tregon se problemi i pronësisë vazhdon të mbetet peng i korrupsionit dhe paaftësisë së një qeverie që mendon vetëm për interesat e pushtetit të Familjes e që udhëhiqet vetëm nga oreksi i Familjes në pushtet”, - tha Tahiri.
Deputeti socialist shtoi se ngjarja po ndodh, kur Berisha po legalizon vilat e familjes së tij në bregdet.
“Sot, teksa Berisha miraton në parlament projektligjin për t’i dhënë vajzës së tij, familjes dhe ministrave të tij të drejtën për të privatizuar toka në plazh, duke i kthyer ata në pronarë, qytetarë dhe pronarë me disa lloje letrash që bien ndesh me njëra-tjetrën, po gjakosen në Orikum me njëri-tjetrin dhe policinë prej konflikteve të hapura nga një politikë e vjetër që te ky pushtet gjen shëmbëlltyrën e vet më kuptimplotë.
Partia Socialiste i bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt, Policisë së Shtetit dhe qytetarëve të pafajshëm të Orikumit, të ruajnë qetësinë dhe kërkojnë zgjidhjen ligjore të problemit të tyre të mprehtë”, - tha Tahiri.
Berisha: Agjencia e Pronave do të shuhet
Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, sipas të cilave autorizohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të marrë në shqyrtim të gjitha ankesat e paraqitura para datës 30 qershor. Më pas Agjencia do të shkrihet.
“Nuk do të ketë më zgjatje afati për paraqitjen e kërkesave pranë Agjencive të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por ligjvënësi duhet të autorizojë Agjencinë që të shqyrtojë të gjitha ankesat e paraqitura para datës 30 qershor, të cilat janë 8 mijë dhe nuk u shqyrtuan dot në afat. Ne duhet të autorizojmë me ligj Agjencinë që ankesat e ardhura para datës 30 qershor dhe që kanë mbetur pa u shqyrtuar të marrin përgjigje, në mënyrë që Agjencia të shkojë drejt shuarjes së saj natyrale, përmbushjes së detyrimit dhe ndërprerjes së aktivitetit të saj”, - tha Berisha.
Konfliktet për pronat minojnë zhvillimin e turizmit në Shqipëri
Nga Norbert Rütsche
“Die Presse”
Borsh- Dielli i kuq flakë zhytet në detin Jon në jug të Shqipërisë. Në plazhin me guralecë të vegjël nuk dëgjohet gjë tjetër përpos zhurmës së ujit dhe fëshfërimave të gjetheve të agrumeve dhe ullinjve.
Por pak metra më tutje qetësia mbaron. Një delegacion me investitorë potencialë gjermanë ka mbërritur.
“Aristokratët” e rinj të krahinës udhëtojnë me makinat e tyre Mercedes në plazh. Gomarët u hakërrehen udhëtarëve, ndërsa kalimtarët bëjnë sehir sa poshtë lart.
Në breg mbërrin Vladimir Kumi, kryetar komune i Lukovës: 300 ditë me diell në vit ofron krahina e tij, miqësia e banorëve të zonës nuk ka të krahasuar - kushte këto shumë të mira për turizëm. Por Kumi e di se ka një kleçkë - marrëdhëniet e pasqaruara të pronësisë mbi tokën.
“Nuk kemi prona për të shitur”, - thotë ai me sinqeritet. Për sa kohë një parcelë nuk është e regjistruar në hipotekë, shitja është e ndaluar. Për investitorët potencialë ka vetëm një treg, ai informal.
Fajtor për këtë është kryetari i qeverisë në Tiranë: “Ai e shtyn regjistrimin e premtuar, që të shtjerë sa më shumë toka në brigjet e jugut në duart e shtetit, duke dëmtuar kështu interesat e njerëzve të thjeshtë.”
Gjatë dyzet viteve të diktaturës staliniste, toka i përkiste në Shqipëri shtetit - që pas rënies së komunizmit në vitin 1990, për të njëjtën copë tokë pati shumë pretendime nga persona të ndryshëm dhe nga vetë shteti, çka ka sjellë shumë konflikte.
Edhe në gjirin e mrekullueshëm të Kakomesë, në jug të Lukovës, ka pasur konflikte të shumta. Francezja “Club Med” donte të ndërtonte këtu për 75 milionë euro një resort luksoz me një firmë ndërtimi shqiptare, “Rivierën”, në mënyrë që turistët elitarë perëndimorë të mbërrinin në Shqipëri. Por operatori më i madh turistik në Evropë i kishte bërë llogaritë pa banorët e Lukovës. Për të paktën katër vite ata protestuan dhe bllokuan rrugën, për shkak se nuk u njihej e drejta e pronësisë në gjirin e Kakomesë.
Akuzat e Kumit janë shumë të rënda: Njerëzit e kompanisë “Riviera” korruptuan zyrtarë të qeverisë, që toka në gjirin e Kakomesë të njihej si pronë shtetërore, kështu që pronarët e vërtetë nuk do të kompensoheshin. “Ata më ofruan mua një milion euro”, - kujton kryetari i komunës. Ai e hodhi poshtë këtë ofertë dhe së bashku më të tjerë përfaqësues të zonës kaloi disa ditë në burg.
Megjithatë protestat vijuan më tej dhe gjërat për “Club Med” u vështirësuan më shumë. Në qershor grupi i fuqishëm u tërhoq, sipas njoftimeve të medies. Në lidhje me dyshimet për korrupsion, “Club Med” nuk preferoi që të shprehej.
Përplasja për gjirin e Kakomesë është një shembull se si shumë pyetje në lidhje me pronësinë e tokës në Shqipëri nuk janë sqaruar ende.
Avokati Helmut Eisner nuk rekomandon blerjen e tokave në Shqipëri: “Ne duhet të jemi të qartë se këtu pronësia nuk është tamam pronësi”. Por mbi të gjitha Eisner paralajmëron në lidhje me marrëveshjet që mund të lidhen me sekserë, në mënyrë të njëanshme, ndërkohë që nuk ka një palë zyrtare. Ai vetë thotë se ka marrë disa oferta informale. “Dikush donte të më shiste një gadishull të tërë me një kala të tipit osman brenda, e madje me një kontratë të supozuar për një kazino - me një çmim prej disa milionë eurosh”, - kujton Eisner.
Por, edhe nëse “Club Med” do ia kishte dalë me sukses në investimin e tij, ekspertët thonë se ka shumë pak shanse që vendi ballkanik të kthehet në një Majorka të re për evropianoperëndimorët.
Më saktë, është e pazbuluara ajo që e bën Shqipërinë interesante për turistët individualë.
“Gjurmët ende shumë të freskëta të izolimit 40-vjeçar të Shqipërisë dhe format e veçanta të komunizmit të saj e bëjnë atë emocionuese për turistët”, - thotë Jörg Kahlmeier nga agjencia për studime turistike “Weit-Blicke”.
Nga dritarja e autobusit duken mbetjet e çdo kohe, në çdo cep: bunkerët e vegjël të betonit për një person shtrihen në tokë si kërpudha, një dëshmi e paranojës së diktatorit stalinist, Enver Hoxha. Hoxha ka kohë që ka vdekur, bunkerët nuk përdoren më. Për këtë, që nga prilli Shqipëria është anëtare e NATO-s.