E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumani, paqe e bazuar në amneziNga Gregory Rodriguez, “Los Angeles Times”Tri javë më parë, kur komiteti i Nobelit ia dha çmimin për letërsi shkrimtares rumune Herta Muller, ai vlerësoi lart portretet kurajoze dhe këmbëngulëse në prozën e saj nga “jet

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rumani, paqe e bazuar në amneziNga Gregory Rodriguez, “Los Angeles Times”

Tri javë më parë, kur komiteti i Nobelit ia dha çmimin për letërsi shkrimtares rumune Herta Muller, ai vlerësoi lart portretet kurajoze dhe këmbëngulëse në prozën e saj nga “jeta e përditshme në një diktaturë në stanjacion” në Rumaninë komuniste. Ajo që ata nuk përmendën, megjithatë, ishte kritika e vazhdueshme nonfictional ndaj lidershipit postkomunist rumun.

Vetëm pak pasi fitoi Nobelin, Muller, e cila tani jeton në Gjermani, shpërtheu kundër vendit të saj për mosshkëputjen e tij tërësore nga e shkuara komuniste. Pas një serie përplasjesh në dhjetor 1989, diktatori Nicolae Ceausescu u rrëzua nga pushteti dhe u ekzekutua. “Njëzet vjet më vonë, - tha Muller, - rreth 40% e njerëzve në pushtet në Rumaninë e sotme janë veteranë të Sigurimit, policia e frikshme sekrete komuniste.

Dy vjet më parë ajo botoi një esé therëse në një gazetë të Frankfurtit, ku akuzonte për “amnezi kolektive” vendin nga ku ajo u arratis në 1987.

“Në Rumani, - shkroi ajo, - pretendojnë se (e shkuara) u zhduk në ajër. Kjo amnezi mundëson “mentalitetin e vjetër” të veprojë me “metoda të reja”.

Javën e shkuar, i ftuar nga qeveria rumune, vizitova Bukureshtin për herë të parë që prej vitit 1998 dhe nuk e hiqja dot mendjen nga kritikat e Mullerit.

Pashë sa kishin ndryshuar gjërat në dhjetëvjeçarin që prej vizitës sime të fundit. Një jetë e nivelit të lartë për të paktët me fat, një trafik dukshëm më të keq dhe një rritje e konsiderueshme në numrin e njerëzve që flisnin anglishte të nivelit të lartë.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, aspiratat e këtij vendi shpreheshin simbolikisht nga dëshira për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO, një ëndërr që buronte, si nga këmbëngulja e rumunëve në të qenit latinë dhe perëndimorë (në kundërshtim me sllavë dhe lindorë), ashtu edhe nga dëshira e tyre për të përmirësuar standardin e jetesës. Të dyja këto objektiva janë plotësuar dhe unë isha kureshtar të shikoja gjendjen e fatalizmit të famshëm rumun - një karakteristikë, për të cilën fajësohen, jo vetëm 40 vitet e sundimit totalitar, por edhe disa shekuj dominimi të huaj.

“Është më keq nga sa ka qenë dikur”, - më tha shkrimtari i njohur dhe prezantuesi televiziv Stelian Tanase. “Pas rënies së komunizmit njerëzit donin të flisnin e të ulërinin. Tani kemi humbur dhe kurajën të shprehemi publikisht.”

Ioana Paverman, një 24-vjeçare e diplomuar në shkencat politike, bie dakord. Ajo thotë se shumë nga shokët e klasës së saj duan të largohen nga Rumania; ata nuk përpiqen ta përmirësojnë. Sipas saj, shtatë në dhjetë shokët e saj të padiplomuar janë larguar jashtë vendit. Ajo këmbëngul se largimi është qëndrim kundër kulturës dhe mundësive ekonomike.

Si edhe Muller, ajo mendon se ajo që mungon është vlerësimi i historisë, përballja me trashëgiminë e Ceausescu-t. “Nuk mund të ndërtosh të ardhme pa pasur të shkuar”, - më tha ajo në një kafe pranë sheshit të universitetit, në Bukuresht. “Ne po bëjmë pikërisht atë që bënë komunistët - fshijmë atë që ka ndodhur në të shkuarën.” Aty ku Paverman e shikon ajkën e brezit të saj të shprehen duke u larguar, të tjerët vërejnë se ka shumë që nuk i ushtrojnë fare të drejtat e tyre. Sondazhet e bëra nga Qendra e Gazetarëve të Pavarur në Bukuresht treguan se shumica e të rinjve, kur u pyetën se kush ishte burimi i të drejtave të tyre, thanë: “Qeveria”. Kjo do të thotë, thotë Drejtori i Përgjithshëm i qendrës, Ioana Avadani, se ata që kanë lindur pas rënies së komunizmit, vazhdojnë të rriten në një kulturë paternalistike, ku “shkollat i nuk i përgatitin të jetojnë në një shoqëri të lirë”.

Një sondazh i Instituti kombëtar rumun i sondazheve, Opinione dhe Marketing, tregoi se 66% e të pyeturve diskutojnë për politikë vetëm një herë në javë ose më pak. Atëherë s’ka vend për habi, pse Rumania përjetoi rënien më të madhe në numrin e votuesve në gjithë vendet lindore postkomuniste - nga 86% në 1990 në 39% vitin e kaluar. Të pyetur për shpjegim të këtij fakti, dy të tretat e tyre fajësuan “cilësinë e ulët të elitës politike rumune”, për të cilën ata mendojnë se është i njëjti grup personazhesh nga e shkuara.

Kësi sondazhesh të çojnë te mendimi i Mullerit. Heqja dorë nga përballja me të shkuarën komuniste, rikonfigurimi i strukturës së vjetër të pushtetit në vend të një të reje, jo vetëm që prodhon cinizëm, por e lë elektoratin të pasigurt për natyrën e përgjegjësive si qytetarë të një demokracie. Por, a do të thotë kjo se Rumania është pa shpresë? Për një vizitor është shenjë pozitive që kasta politike po testohet dhe eksplorohet; që intelektualët dhe studentët po ngrenë zërin të shqetësuar; që një fituese e re e çmimit Nobel po u jep mangësive të politikës rumune një profil të lartë. Por unë u befasova nga fakti që “revolucioni” i 1989 apo edhe integrimi evropian kishte ndryshuar kaq pak gjëra. Në Rumani ka një proverb që është përcjellë nga brezi në brez dhe përdoret si këshillë për ata që janë në konflikt. “Kur e mban kokën përkulur, shpata nuk e pret qafën tënde”. Njëzet vjet pas revolucionit brutal, disa rumunë ende vazhdojnë të luftojnë kundër atij impulsi fatal. Pritet të shihet, nëse pjesa tjetër e bashkatdhetarëve të tyre do ta ngrenë ose jo ndonjëherë kokën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›