Vlorës i kanoset një katastrofëNga Hodo Kabello, Mjek Epidemiolog- InfeksionistUnë, Hodo Kabello, mjek epidemiolog-infeksionist, kam mbaruar për ndihmësmjek sanitar epidemiolog, në vitin 1954. Në vitin 1961 mbarova për mjek, u specializova në degën e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Vlorës i kanoset një katastrofëNga Hodo Kabello, Mjek Epidemiolog- InfeksionistUnë, Hodo Kabello, mjek epidemiolog-infeksionist, kam mbaruar për ndihmësmjek sanitar epidemiolog, në vitin 1954. Në vitin 1961 mbarova për mjek, u specializova në degën e epidemiologjisë dhe infektivit dhe u emërova përsëri në Drejtorinë e Higjienës dhe Epidemiologjisë, punova mjek epidemiolog dhe një periudhë kohe dhe drejtor i kësaj drejtorie në qarkun e Vlorës, ndërkohë kryenim dhe detyrën e mjekut të karantinës në portin detar. Vitet e fundit punova mjek infeksionit.
Gjithë jetën i jam përkushtuar mbrojtjes së shëndetit të popullit dhe gjatë viteve të fundit jam marrë me studimin e impakteve negative të ngrohjes globale dhe ndotjes së mjedisit (pasojë e djegies së fosileve të hidrokarbureve), në nivel global, rajonal dhe në veçanti vendor duke shfrytëzuar literaturën bashkëkohore të vendit tonë, organizmave të OKB, universiteteve më në zë të botës dhe Kongresit amerikan, të cilat i kam përmbledhur provizorisht në një numër të madh disketash dhe librash, një pjesë e materialeve janë prezantuar në sesione shkencore të Ministrisë së Mjedisit dhe universitetit “Ismail Qemali”, si dhe janë botuar në organet periodike.
Duke qenë dakord me mendimin shkencor botëror për këto pasoja, në diskutimin tim unë do të përqendrohem në impaktin e tyre në nivel vendor.
Në ditët e sotme, sipas studimeve të Ministrisë së Mjedisit, UNEP/MAP në vitin 2003, ndotja e mjedisit në qytetin e Vlorës me gaze të CO2 dhe VOX, NOX (dyoksidit të karbonit dhe oksideve nitrike etj.), vetëm nga djegia e karburanteve të makinave dhe ajo pak industri është sa dyfishi i qytetit të Sarandës dhe katërfishi i qytetit të Tepelenës.
Në bazë të hartës satelitore niveli i cilësisë së ajrit të zonës së Vlorës është gati i njëjtë me nivelin e ndotjes në zonën e Tiranës (shif harta përkatëse sipas www.eea.europa.eu/maps/ozone/map) dhe kjo ndotje i tejkalon normat e lejuara nga Parlamenti, Këshilli Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Ndotja e ajrit të zonës së Vlorës për relievin që ka, rrethuar me zona kodrinore malore duke krijuar përshtypjen e një inkubatori gjigant, është më e lartë se zonat e tjera të vendit, sepse ndotjen e qarkullon brenda përbrenda, nga Vjosa deri në Llogora. Siç vërehet në dy harta, shpatet e malit të Dajtit, malet e Skënderbeut për Tiranën si dhe Shashica, Karaburuni dhe Çika në Vlorë e bllokojnë ndotjen (blozën) në zonën fushore-kodrinore dhe shpatet e këtyre maleve, duke sjellë pasoja mjedisore dhe shëndetësore dhe fuqizimin e krizave mjedisore, pyjore, ujore, shëndetësore, të biodiversitetit, me një fjalë shuarjen graduale të jetës së gjallë bimore dhe shtazore.
***
Në të kaluarën komuniteti vlonjat u helmua nga zhiva, azbesti, arseniku, amoniaku, të cilat u çrrënjosën nga zona e qytetit tonë si të rrezikshme për mjedisin dhe popullatën. Dhe tani duhet të përballet me helme të tjera nga djegia dhe përpunimi i hidrokarbureve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, minimalisht çdo shqiptari i shkurtohen dy vjet jetë si rezultat i ndotjes së ajrit. Sigurisht, njerëzit dhe gjallesat, të cilat banojnë në zonën e Tiranës dhe të Vlorës, duke qenë më të ndotura, janë më tepër të rrezikuara, niveli i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në këto dy zona është më i lartë.
Pozita e Gjirit të Vlorës, si gji i rrethuar nga Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit dhe Triporti, duke i dhënë pamjen e një akuariumi gjigant (me qarkullim të ujërave detare shumë të ngadaltë në 100 vjet), gjithashtu prezenca e dy lagunave, e Orikumit, me komunikim me detin vetëm nëpërmjet Dalanit dhe në veçanti ajo e Nartës, e cila ka mungesë të theksuar të eutrofikimit, që rezulton në mungesën e komunikimit me detin, mungesën e hyrjes së ujërave të freskëta, hyrjen e kanalizimit të ujërave të zeza dhe hyrjen e ndotjeve industriale dhe organike, e bëjnë atë shumë të ndjeshëm ndaj çdo ndryshimi dhe ndotjeje.
Gjithashtu, me tropikalizimin e zonës, si dhe me faktin e rritjes së mëtejshme tej mase të temperaturës gjatë këtij viti (si viti më i nxehtë nga 1800, me temperatura të mjedisit në nivele deri në 39-40°C), me rritjen e mëtejshme të temperaturës së ujit të detit në Gjirin e Vlorës për ftohjen e turbinave, duke kombinuar dhe ndotjen nga ujërat balast, do të shkaktohet inondimi me specie ekzogjene, siç ndodhi vitin e kaluar në zonën bregdetare të Spanjës, Francës dhe Italisë dhe pasojat do të jenë katastrofike. Shumë shpejt dy lagunat do të kthehen në liqene të vdekura, pa gjallesa, qofshin bimore ose shtazore.
Derdhja e ujit të nxehtë të freskimit të tri turbinave në Gjirin e Vlorës dhe në afërsi të zonës së Dajlanit, ku bëhet lidhja, depërtimi i ujit të detit dhe kalimi i gjallesave për depozitimin e vezëve në Lagunë, do të pasohet me pakësimin deri në zhdukje të gjallesave të lagunës “zonë e vdekur”, shto në këtë rast dhe ndotjen e ujit të lagunës me shiun, acidet e çliruara nga veprimtaria normale (pa avari) e TEC-it apo acidifikimin e ujit të lagunës nga ujët acide nëntokësore.
Të gjitha këto së bashku, në një afat kohor të shkurtër, këtë lagunë me vlera të larta ekonomike ekologjike do ta shndërrojnë në një mjedis, për të cilin një njohës i mirë i zonës, midis të tjerave shkruan:
“Nëse ndotet liqeni, do të mbyllen dajlanët e peshkimit, çka do të thotë mbathja e dy “bukave” ndërlidhëse mes liqenit dhe detit. Kjo do të thotë më tej që shumë shpejt të thahet liqeni në pjesën më të madhe dhe që ishujt aq piktoreskë shekullorë e shpirtërorë, Manastiri i Karakunjisit, të mbetet si peshku pa ujë. Kjo u duk qartë më 1997, kur dajlanët qenë mbyllur.”
Dhe më tej vazhdon: “Liqeni nuk është thjesht as i pesë pelikanëve, siç u shpreh një zyrtar, nuk është as ujëmbledhës i hapur dje dhe që mund të mbyllet sot, ose nesër, pasi ndotet. Ai liqen është histori, traditë, është një mrekulli e trevës. Ai është pjesë e shpirtit të jetës sonë. Është ekonomi”.
Vetëm në peshkim dhe kripore sot punojnë 300 punëtorë, të cilët me ndotjen më të parë të Lagunës do të ngelen pa punë. Në ditët e sotme, peshkimi punëson 50-100 njerëz të licencuar. Prodhimi i kripës gjatë viteve të fundit është luajtur ndërmjet 20,000 dhe 27,000 tonësh. Numri i personave që janë të punësuar aktualisht është 205. Piku i prodhimit prej 140,000 tonëve është arritur gjatë 1975-1985. Në kohën e atëhershme, shoqëritë kanë punësuar rreth 1,250 persona.
Kripa është përdorur kryesisht për konsumim të brendshëm në Shqipëri për popullatën, blegtorinë, për punimet industriale dhe transport si skorie, kryesisht në dimër, si dhe për tregun e jashtëm.
Kushtet prezente të vendit tonë janë të tilla që me shtimin e industrisë së naftës krijohen situata katastrofike për florën dhe faunën detare dhe mjedisore, si edhe impakte negative shëndetësore për popullatën. Me tropikalizimin e zonës mesdhetare dhe vendi ynë ndien pasojat e këtij tropikalizimi. Ngritja e temperaturës mbi nivelet e viteve të mëparshme paraqet rrezik për lindjen e sëmundjeve tropikale dhe ky rrezik është shumë i lartë, se popullata është e pambrojtur dhe receptiviteti shumë i lartë, si dhe graviteti i sëmundjeve i lartë. Pakësimi hera-herë i prurjeve në ujëmbledhës (hidrocentrale) dhe liqenet e vendit tonë, pakësimi i prurjeve për ujin e pijshëm dhe shoqërimi me rritjen e temperaturës, përdorimi i depozitave të ujit të pijshëm në pallate, rrezikojnë ndotjen me mikrobe, viruse, parazitë dhe shtojnë shanset për shpërthime të hepatitit viral, diarresë dhe sëmundjeve të tjera parazitare. Këto janë shfaqjet e para të katastrofave dhe krizave shoqërore. Shoqërimi i këtyre fenomeneve me kriza të biodiversitetit si pakësimi i prodhimtarisë bujqësore, shtimi tej mase i karkalecave, i mushkonjave në zona të ndryshme të vendit, mundësia e shfaqjes së malaries tropikale ose shtimi i rasteve me ekinokok, ngordhja e peshqve në liqenin e Prespës, shfaqja hera-herës e algës së kuqe në rezervuarin e Bovillës, janë kambanë që kërkon të jemi vigjilentë dhe në asnjë mënyrë të mos bëhemi vetë ne shkaktarë vrastarë të jetës së gjallë mbi tokë, me ngritjen e një industrie të tillë.
Unë si qytetar i Vlorës, si mjek, duke gjykuar pasojat mjedisore dhe shëndetësore, e quaj veprim katastrofik ndërtimin e depozitave të naftës, të përpunimit të naftës dhe ngritjes së termocentraleve me bazë nafte ose gazi në Gjirin e Vlorës. Kushtet e vendit tonë janë për zhvillimin e energjive alternative (hidrike, solare dhe erës etj).
* Diskutimi i bërë në takimin e Panelit Investigativ të Bankës Botërore (PIBB) me Kryesinë e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës