E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta paqësore brenda dhe jashtë vendit

Autori i Lajmit: Suela Topi
Hapi i dytë janë protestat në të gjithë vendin dhe jashtë kufijve. Kështu pohoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të kryesisë së partisë së tij, lidhur me qëndrimin që do të mbajë pas daljes nga greva e urisë në emër të votës së lirë. Duke e konsideruar Kodin Zgjedhor si një hap mbrapa, Meta theksoi se LSI do të vazhdojë të mos njohë atë pjesë të kodit që ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve. Sipas tij, do të përdoren të gjitha mjetet demokratike e institucionale për të mos lejuar vënien në zbatim të këtij kodi që nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje PS-PD për të ruajtur interesat personale. Në fjalën e tij vetëm një ditë pas daljes nga greva e urisë, Meta falënderoi gjithë personalitetet politike, intelektualët, shoqërinë civile dhe publikun për mbështetjen e pandërprerë gjatë 9 ditëve të grevës. Duke riktheksuar se kjo ishte vetëm faza e parë e reagimit, Meta ftoi gjithë shqiptarët të protestojnë më 26 nëntor në mbrojtje të votës së lirë.
Deklarata
Një ditë pas daljes nga greva, Meta falënderon gjithë ata që i mbështetën. “Falënderoj kolegët deputetë që morën pjesë në grevën e urisë për shpirtin e veçantë të sakrificës dhe solidaritetit të shprehur në të 9 ditët e grevës së urisë. Falënderim i veçantë për mijëra e dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët protestuan për 9 ditë radhazi ditën dhe natën, duke shkruar një nga faqet më të shkëlqyera të reagimit paqësor qytetar dhe atdhetar për demokracinë tonë të re. Një falënderim i sinqertë për të gjithë intelektualët dhe personalitetet e shquara, të cilët mbështetën misionin e grevës së deputetëve dhe dhanë mesazhin e madh se Shqipëria vërtet demokratike është shumë e shtrenjtë për ta”, - tha ai. Kreu i LSI-së pohoi se greva e deputetëve dhe protestat e qytetarëve si dhe manifestimi paqësor thellësisht demokratik i demostruar qartë në të gjithë këto ditë të jashtëzakonshme shënuan përmbushjen me një sukses të plotë të fazës së parë të këtij aksioni shumë të madh politik mbarëkombëtar dhe ngritjen e vetëdijes së opinionit publik në të gjithë vendin për nevojën jetike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një procesi konkurrimi politik të barabartë dhe pa diskriminim nga ligji. Sipas tij, greva krijoi një sensibilizim të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit, sepse duke qenë një nga grevat më qytetare ajo kërkoi dhe pati mision rivendosjen e standardeve demokratike në zgjedhje dhe përmbushjen e parimeve të OSBE- ODIHR. Miratimi i Kodit Zgjedhor për Metën është një argument më shumë kundër shkelësve të standardeve të konkurrimit të barabartë. Duke përmendur deklaratën e Kopenhagenit mbi barazinë e konkurrencës, ai theksoi se ky është standardi evropian për zgjedhje të lira, dhe jo konsensusi dypartiak i realizuar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, për të përjashtuar dhe diskriminuar me ligj konkurrentët politikë në zgjedhje. “Votimi i djeshëm PD-PS ishte një hap i madh mbrapa në standardet e transparencës demokratike me qëllimin për të dëmtuar shqiptarët që të humbasin besimin tek vota e lirë. Ata treguan qartë se i sakrifikojnë pa hezitim interesat legjitime të shqiptarëve që burojnë nga vota e lirë për interesat e ngushta partiake dhe personale”, - tha Meta. Ai paralajmëroi se nga dje ka nisur “etapa e dytë e reagimit, e cila do të karakterizohet nga manifestime shumë të fuqishme paqësore brenda dhe jashtë vendit, por edhe nga mjaft forma të tjera të komunikimit me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë, duke denoncuar përpjekjen për të fabrikuar shumica jolegjitime në dëm të votës së lirë dhe të barabartë”. Meta nuk përjashtoi mundësinë e apelimit në Gjykatën Kushteturese të vendimit të djeshëm të Kuvendit duke pohuar se do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale për të reaguar.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›