Përrenjtë rrezikojnë urën e re të Lekasit
KORÇE - Përrenjtë rrezikojnë shembjen e urës së Lekasit, që lidh 9 fshatra me Voskopojën e Korçën. Shkrirja e dëborës ka rritur tej kapacitetit normal ujërat e përrenjve, duke bërë që të jepet alarmi për vendosjen e pritave mbi urë. Sipas banorëve të zonës së Lekasit, nga vërshimi i fuqishëm, skeleti metalik i kësaj ure rreth 30 metra të gjatë dhe 5 metra të gjerë të rrëmbehet nga ujërat e të përfundojë i shkatërruar në lumin Devoll. Këtë fakt e pohon dhe kryetari i Komunës së Lekasit, Nderim Kreka. Ai ka bërë të ditur për gazetën se shqetësimin e tij dhe të gjithë banorëve të zonës së Lekasit e ka përcjellë edhe në Këshillin e Qarkut dhe në Prefekturën e Korçës, madje dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave në Ministrinë e Brendshme. Ura e Lekasit është një objekt i ri, i ndërtuar vetëm 5 vjet më parë, pasi ajo e mëparshme ishte shkatërruar, pikërisht nga përrenjtë në pranverën e vitit 2004. Për muaj të tërë zona e Lekasit me 9 fshatra, u izolua për muaj me radhë, duke krijuar shqetësime për komunitetin e kësaj zone. Shqetësimi u çua nga Këshilli i Qarkut deri në qeveri, mbasi nuk disponoheshin fonde për rindërtimin e saj. Përveç kësaj, për shkak edhe të terrenit të thyer malor, ishte e vështirë që të ndërtohej nga firma të ndryshme ndërtimi. Problemi u zgjidh vetëm me ndërhyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ngriti skelet metalik të saj dhe betonoi dy këmbët e saj në të dyja anët e lumit, me vlerë prej 500 milionë lekësh. Që në atë kohë komuna dhe Këshilli i Qarkut kërkoi që ky investim të pasohej edhe me ngritjen e disa pritave në pjesën e sipërme të përrenjve, por kjo kërkesë nuk u realizua. Këmbët e urës tani janë dëmtuar, duke rrezikuar shembjen e pashmangshme të saj. j.gj