Vatër infeksioni në mes të qytetit
BERAT - Një kanal rreth dy metra i thellë rrezikon jetën e banorëve të lagjes "30 Vjetori" në Berat. Më të rrezikuar janë fëmijët si dhe ata që udhëtojnë gjatë orëve të errësirës. Ky kanal u ndërtua nga bashkia për të parandaluar përmbytjet, ndërsa u parashikuan që aty të mblidheshin ujërat e zeza të tri lagjeve: "30 vjetori", "10 korriku" dhe "Kushtrimi". Por, ndonëse kanë kaluar disa vjet, kanali është shndërruar në rrezik të konsiderueshëm për banorët, pasi përbën dhe një vatër epidemie. Shumë pranë tij ndodhet tregu industrial, duke e bërë të pashmangshëm qëndrimin e tregtarëve dhe qytetarëve pranë kanalit famëkeq. Në lidhje më këtë shqetësim të banorëve, nënkryetari i Bashkisë së Beratit, Stavri Ceca, pohon se dy muaj më parë bashkia kishte planifikuar të investonte për këtë kanal, por shuma në dispozicion nuk mundësonte kryerjen e punimeve. Bashkia iu drejtua qeverisë, e cila premtoi për fonde, por sipas Cecës nuk u bë realitet. d.xh